Ballina Lajmet Kosovë Mustafa: Bizneset kosovare konkurrente me bizneset evropiane

Mustafa: Bizneset kosovare konkurrente me bizneset evropiane

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, vizitoi Lulishten “Labi – Las Pallmas”, e cila merret me kultivimin dhe eksportin e luleve, por edhe me rregullimin e kopshteve dhe dekoreve për ngjarje të ndryshme.

Kryeministri Mustafa, vlerësoi punën e mrekullueshme të punëtorëve të kësaj lulishte.
“Ka biznese shumë të mira dhe të suksesshme, aplikim të teknologjive më bashkëkohore në të gjitha fushat siç është edhe kjo këtu. Firmat tona po bëhen firma konkurrente, njerëzit tanë po punojnë ashtu siç punohet në Gjermani, në Holandë dhe në vende tjera, që është për t’u mburrur me disiplinën dhe përkushtimin e madh të punës”, tha kryeministri Mustafa.

Gjatë vizitës, që u bëri serave në të cilat kultivohen lulet, kryeministri Mustafa përgëzoi kompaninë për punën dhe zgjerimin e veprimtarisë së vet, por edhe Ministrinë e Bujqësisë dhe USAID-in për përkrahjen e madhe në ofrimin e teknologjisë moderne.
“Ne do të bëjmë përpjekje si Qeveri që të përkrahim maksimalisht bizneset, të lehtësojmë përfundimisht të bërit biznes dhe të nxisim bizneset e vogla dhe të mesme si formë bazike e zhvillimit ekonomik të Kosovës”, tha kryeministri Mustafa.

Pronari Luan Buçaj, u shpreh i nderuar me vizitën që i bëri kryeministri Mustafa lulishtes “Labi-Las Pallmas”.
“Qeveria na ka ndihmuar rreth prodhimit, kultivimit dhe rritjes së prodhimtarisë tonë. Mund të them se me ndihmën e kryeministrit dhe të Qeverisë së Kosovës ne kemi arritur që të rrisim eksportin dhe fuqinë punëtore në kompaninë tonë”, tha pronari Buçaj.

Lidhur me buxhetin për bujqësi dhe hapjen e vendeve të punës, kryeministri Mustafa tha se është investuar mjaft shumë në këtë sektor dhe kreditë ndërkombëtare po orientohen në fushën e bujqësisë.
“Për vende të punës ecuria është mjaft e mirë. Ne kemi pasur në vitin 2015 rreth 18 mijë vende të punës, në 2016 kemi llogaritur që janë rreth 22 mijë vende të punës që janë hapur, këtë vit llogarisim ta përmbyllim së paku me 25 mijë vende të reja të punës, pa legalizimin e punësimit informal. Mendoj se jemi në një trend shumë të mirë. Për ne është me rëndësi vetëm me arrit normë më të lartë të zhvillimit ekonomik, sepse nuk ka punësim nëse nuk kemi normë më të lartë të zhvillimit. Ne këto dy vite kemi mbajtur një normë të zhvillimit prej 4 për qind. Na nevojitet që këtë vit dhe vitin e ardhshëm ta rrisim në 5 dhe mbi 5 për qind e cila normë pastaj krijon hapësirë për një dinamikë më të madhe të punësimit. Mendoj, se jemi mjaft mirë, kemi arrit ta ulim shkallën e papunësisë nga 35 për qind sa ka qenë në 26 për qind. Do të japim së shpejti të dhënat edhe për uljen e shkallës së varfërisë dhe për këtë do t’i kemi të dhënat e institucioneve ndërkombëtare. Mendoj, se të gjithë ne duhet të kemi besim dhe të punojmë kështu sikur po punohet”, tha kryeministri Mustafa.

Exit mobile version