Në vigjilje të vizitës të Zëvendëspresidentit të SHBA-së,Joe Bajden, kryeminsitri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se kjo është një ngjarje e madhe dhe e veçantë për Kosovën.
“Vizita e Zëvendëspresidentit Bajden është konfirmim i përkushtimit tonë të përbashkët që marrëdhëniet me fqinjët, politikat gjeostrategjike dhe integrimet euroatlantike ti ndërtojmë në partneritet të plotë me SHBA-të”, ka thënë Mustafa, përmes një postimi në Facebook, transmeton Telegrafi.
Mustafa ka thënë gjithashtu se “ata që thirren në rugovizëm duhet të kenë besim në SHBA-të”
Postimi i plotë i Mustafës:
“Po bëjmë përgatitjet intesive për pritjen e mikut të madh të Kosovës, Zëvendëspresidentit të SHBA-së, Joe Bajden.
Vizita e njeriut të dytë të demokracisë botërore është një ngjarje e madhe dhe e veçantë për Kosovën.
Themel i rugovizmit, pra i strategjisë politike të Presidentit Historik të Kosovës, Ibrahim Rugova ishte miqësia e përhershme me SHBA-të.
Aleanca Veriatlantike e udhëhequr nga SHBA e shpëtoi Kosovën nga ekzodi, shfarosja dhe zhbërja.
SHBA ishte aleati ynë kryesor në shpalljen e pavarësisë dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike.
Ekspertiza politike dhe mbështetja e SHBA-së kanë qenë dhe janë jetike për Kosovën.
Ata që thirren në rugovizëm duhet të kenë besim në SHBA-të, sepse ky besim dhe kjo miqësi janë gurthemel, jo vetëm i misionit dhe vizionit të politikave tona shtetërore por kosideroj se edhe, i fatit të vendit tonë.
Vizita e Zëvendëspresidentit Bajden është konfirmim i përkushtimit tonë të përbashkët që marrëdhëniet me fqinjët, politikat gjeostrategjike dhe integrimet euroatlantike ti ndërtojmë në partneritet të plotë me SHBA-të” (sic), ka shkruar Mustafa.