Jonuz Musliu, kryetari i Këshillit Kombëtar të Luginës ka thënë se shqiptarët po e lënë Luginën e Preshevës dhe se Kosova duhet të investojë në atë pjesë.
Këto komente Musliu i ka bërë në Klan Kosova, pas takimit që kanë pasur gjatë ditës zyrtarë nga Lugina e Preshevës me kryeministrin Isa Mustafa.
“Interesimi i Kosovës i inkurajon shqiptarët në Luginë, që ta bëjnë një jetë më ndryshe atje sepse dikush po interesohet për jetën e tyre atje”.
Musliu tha se shumë shqiptarë tashmë e kanë lënë Luginën e Preshevës.
“Një pjesë e madhe e bëjnë për shkak të kushteve ekonomike, por një pjesë e bëjnë për shkak të presionit serb, ngadalë po zbrazet edhe Bujanoci krahas Medvegjës”.
“Me ndihëm e Republikës së Kosovës mendoj se ikjet e shqiptarëve do të ishin më të vogla”.
Më tutje Musliu i tregoi kërkesat që kanë pasur për kryeministrin Mustafa.
“Ne i shprehëm kërkesat tona dhe problemet që janë në Luginën e Preshevës si në fushën e arsimit, të kulturës”.
“Kosova deri më tani nuk ka marrë ndonjë iniciativë, që ta ngritë ndonjë gazetë, ndonjë shoqëri kulturo-artistike ndonjë trup teatri”.
“Kryeministri e murr si përgjegjësi që në vitin tjetër të investohet në Luginën e Preshevës”.
Musliu më tutje tha se duhet të zhvillohet reciprocitet me Serbinë.
“Kur Serbia investojnë kaq shumë për serbët në Kosovë, pse Qeveria e Kosovës nuk investon për shqiptarët në Luginë”.
“Serbia investon deri në Vrajë, ata nuk investojnë në Luginë”.
“Ideja e tyre është që të shpërngulen shqiptarët, sa më pak të ketë shqiptarë aq më pak do të ketë probleme për ata”.
Si çështje me rëndësi është përmendur edhe puna e studentëve shqiptarë nga Lugina.
“Biseduam edhe për specializimet që kanë bërë studentët tanë, sepse një pjesë e madhe punojnë por ata paguhen shumë pak pasi diplomat e tyre nuk nostrifikohen”.
“Këtë vit është ul kuota për studentët e Luginës së Preshevës”.
“Kështu nuk ndodh edhe me studentët e vendeve tjera të rajonit, ata nuk kanë kuota madje edhe stimulohen me bursa”.
Musliu në Orën e Fundit e ka komentuar edhe ndërtimin e murit në Mitrovicën Veriore.
“Serbia po luan me Kosovën. Një kohë ishte shpërngulja, mandej zhavorri mbi urë dhe tash muri nuk e di si po e duron kjo tokë murin e ndarjes”.
“Kjo është ndarje midis Serbisë dhe Kosovës, vetë muri po e tregon ndarjen”.