Muslimani nuk është linçues!

Dr. Rijad Imeri

Duke e parë nivelin e debatit që ka ra aq poshtë, ku njeriu në vend që ta përdorë arsyen për të diskutuar e debatuar, fillon të paragjykoj, etiketoj, e spekuloj në forma të ndryshme dhe sa më shumë që po afrohet koha e zgjedhjeve, aq më shumë po biem në këtë llum emocional, ku njeriu as nuk pranon argumentim kuranor, e as traditën profetike, sidomos nëse nuk i përshtatet epshit të tij partiak, apo përzgjedhjes së tij politike.
Edhe pse bashkësia islame e Kosovës si në nivelin qëndror ashtu edhe në atë komunal po mundohet të jet model në këtë fushatë parazgjedhore, duke i mbajtur dyert e saja të hapura për çdokënd që dëshiron ta vizitoj atë!
Po ashtu imamët e saj, e sidomos ata që drejtojnë institucione të tjera që janë në shërbim të qytetarëve si në aspektin shkencorë, edukues e emancipues po e ndjekin të njëjtën frymë e që buron nga vet tradita profetike!
Muhamedi a.s., shembëlltyra jonë nuk ishte linçues, por mundohej që të ishte unifikues i shoqërisë, duke ju treguar se ai i takon shoqërisë, me gjithë të mirat e të këqijat që i kishte kjo shoqëri!
Edhe atëherë kur e lëndonin qoftë në nder, qoftë në nivelin e ulët të sjelljes ndaj tij, ai mundohej t’i arsyetonte ata dhe thoshte: “Allahu e mëshiroftë Musain, u lëndua më shumë se kaq dhe duroi!”
E me këtë rast, po e ceki vetëm një shembull, nga shembujt e shumtë të jetës së Profetit tonë të dashur!
Abdullah b. Ubeje b. Seluli, koka e hipokrizisë, ishte prijës në fisin e tij, e lëndonte Muhamedin a.s. në forma të ndryshme, sa që as familje profetike nuk shpëtoi nga shpifjet e tij, mundohej t’i shpartallonte besimtarët e ta zgjeronte rrethin e tij, kurse Pejgamberi a.s. asnjëherë nuk binte në nivelin e tij, por tregonte edukatën e tij profetike, e respektonte dhe e nderonte atë!
A e dini se ky hipokrit u fal 9 vite rresht prapa Pejgamberit të Zotit dhe ai asnjëherë nuk ia mbylli derën e Xhamisë!
A e dini që të rrallët ishin ata që kishin nderin ta kishin pelerinën e Pejgamberit të Zotit, kurse Muhamedi a.s. ia dhuroi atij!
E njëherë, Omeri r.a. i tha: Më lejo, o i dërguar i Zotit t’ia heq kokën këtij hipokriti!
Kurse Pejgamberi a.s. iu drejtua Omerit a.s. duke i thënë: Kurrsesi o Omer, se misioni im nuk është përçarja e shoqërisë!
Andaj, jo çdo kush që falet prapa teje, të do që të jesh para tij, edhe sikur të ishe Profet i Zotit, disa vetëm e presin momentin e duhur që të godasin me thikën e tyre të helmuar, ashtu siç Ebu Lulue e goditi Omerin r.a. dhe Ibn Mulxhemi e goditi Aliun r.a. përderisa ishin në namaz!
Por, Allahu është i gjithëdijshëm, sheh dhe dëgjon edhe pëshpëritjet e zemrave.

Paqe

Dr. Rijad Imeri