Muslimanët në SHBA thirrje Trumpit që të përmbushë premtimin për t’i dhënë fund luftës në Gaza

Këshilli për Marrëdhëniet Amerikano-Islamike (CAIR), organizata më e madhe për mbrojtjen e të drejtave të muslimanëve në SHBA i bëri thirrje Donald Trumpit, presidentit të 47-të të zgjedhur të SHBA-së që t’i japë përparësi përmbushjes së premtimit të tij të fushatës për kërkimin e paqes jashtë vendit, përfshirë edhe përfundimin e sulmeve të Izraelit në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.

Drejtori i CAIR, Nihad Awad në deklaratën e tij kërkoi nga zyrtarët demokratë që të nxjerrin mësim nga humbja e mbështetjes së muslimanëve dhe votuesve të tjerë ndaj zëvendës presidentes dhe kandidates demokrate për presidente, Kamala Harris e cila kundërshtoi gjenocidin në Gaza.

Duke deklaruar se asnjë politikan apo parti nuk zotëron votat muslimane, Awad tha se “Në vazhdim, ne presim që të gjithë zyrtarët e zgjedhur të adresojnë sinqerisht shqetësimet urgjente të votuesve muslimanë. Kjo përfshin edhe presidentin e zgjedhur Trump”.

Ai vuri në dukje se Trump ka premtuar të ndalojë gjakderdhjen në Gaza dhe rikujtoi se ai i ka dënuar politikat e ish-presidentit amerikan George W. Bush dhe zëvendës presidentit të tij Dick Cheney që dëmtuan botën muslimane.

Awad thotë se është e rëndësishme që Trump të pranojë që shumica e amerikanëve, përfshirë muslimanët amerikanë nuk duan të shohin më shumë “fanatizëm” apo luftë jashtë shtetit.

“Trump duhet të përmbushë premtimin e tij të fushatës për të kërkuar paqen jashtë vendit, përfshirë përfundimin e luftës në Gaza. Por, kjo paqe duhet të jetë paqe e vërtetë e bazuar në drejtësi, liri dhe një shtet për popullin palestinez”, tha ai.

Në fjalimin e tij më 2 nëntor në Michigan ku muslimanët dhe arabët amerikanë janë më të përqendruar, Trump tha se rivalja e tij demokrate, Kamala Harris “ka bërë fushatë me vajzën e Dick Cheney, i cili pothuajse shkatërroi Lindjen e Mesme”.

“Nëse Kamala fiton, do të ketë vetëm vdekje dhe shkatërrim. Unë jam kandidati i paqes”, ka thënë Trump.

Dick Cheney ishte zëvendëspresident i SHBA-së gjatë pushtimit amerikan të Irakut.