Muslimanët e rajonit përgatiten për festën e Fitër e Bajramit

Në prag të festës së Fitër Bajramit nëpër tregje dhe dyqane të kryeqyteteve të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Kosovës, vërehet një frekuentim më i madh i qytetarëve të cilët po bëjnë përgatitjet e fundit për pritjet e kësaj feste të besimtarëve muslimanë, raporton Anadolu Agency (AA).

Ky është Fitër Bajrami i dytë nën hijen e pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), por muslimanët kanë vazhduar të ndjekin traditat e kësaj feste.

Ndër tezgat më të vizituara në tregje mbeten ato ku shiten arra, fëstëkë, lajthi dhe produkte të ngjashme që përdoren gjatë përgatitjes së bakllavasë, ëmbëlsirës tradicionale të kësaj feste.

Në kryeqytetin Shkup frekuenca më e lartë e qytetarëve vërehet në Çarshinë e Vjetër, ku dhe ndodhet edhe tregu më i madh i qytetit. Shitësit në këtë treg duken të gatshëm t’u shërbejnë qytetarëve me produktet e nevojshme për këtë festë.

Në ditët e fundit të muajit të Ramazanit edhe Tirana është duke parë një frekuentim të madh të qytetarëve, veçanërisht në tregje ku qytetarët blejnë produktet tradicionale.

Tregu “Pazari i Ri” në kryeqytetin e Shqipërisë në prag të festës së Fitër Bajramit duket se është i përgatitur për t’u shërbyer qytetarëve, fluksi i të cilëve është në rritje krahasuar me ditët tjera.

Fluks më i madh i qytetarëve vërehet edhe në sheshet kryesore të Prishtinës, por të shumtë janë edhe qytetarët që frekuentojnë tregun e gjelbër për të pasuruar tryezën për këtë festë të muslimanëve.

Fitër Bajrami është festa e cila festohet pas mbarimit të muajit të Ramazanit. Muslimanët para ditës së Bajramit shpërndajnë lëmoshë dhe solidarizohet me të varfrit për ta festuar së bashku këtë festë, ndërsa gjatë ditës së festës, pas faljes së namazit të Bajramit ata përcjellin mesazhet dhe urimet e ndërsjella përmes vizitave tek të afërmit e tyre.

Mëngjesin e nesërm, falja e namazit të Fitër Bajramit në këto tre vende të rajonit do të realizohet nëpër xhami, por krerët e komuniteteve fetare kanë apeluar që të respektohen masat kundër përhapjes së virusit COVID-19, ndërkohë në Tiranë programi qendror për faljen e namazit është njoftuar se do të mbahet në sheshin “Skënderbej” sipas protokollit të masave kundër pandemisë. /aa