Organizata e Kombeve të Bashkuara ka lëshuar alarmin duke thënë se miliona njerëz në Jemen rrezikojnë të vdesin nga uria nëse bota nuk merr masa t’u vijë në ndihmë.
18,8 milionë njerëz në Jemen kanë nevojë urgjente për ndihmë; shtatë milionë njerëz nuk e dinë se kur do ta hanë vaktin e rradhës, ndërsa 2,2 milionë fëmijë janë të keq ushqyer. Një fëmijë nën moshën pesë vjeç vdes çdo dhjetë minuta. Kjo do të thotë se çdo orë vdesin 6 fëmijë. Pra mbi 140 femijë në ditë.
“Situata jonë financiare është e rëndë”, thotë Fatima Ali Jahja, nëna e një fëmije të keq ushqyer. “Rrallëherë e kemi mundësinë të blejmë ushqim mjaftueshëm. Nëse ndonjë nga shtatë fëmijët e mij sëmuret, nuk mund ta dërgoj në spital pasi nuk kemi para për ilaçet.”
Kequshqyerja ka prekur kryesisht pjesën më të cënueshme të popullsisë jemenase, përfshirë njerëzit me aftësi të kufizuara dhe të moshuarit. Jemeni ka qenë një nga vendet më të varfra të rajonit edhe para luftës, por konflikti aktual midis forcave të qeverisë dhe kryengritësve Huthi të mbështetur nga Irani e ka përkeqësuar situatën akoma më shumë.
“Ka kaluar një vit e gjysëm që nuk kemi pasur mundësi të kemi ushqim mjaftueshëm për vetën dhe familjarët tanë. Arrijmë të sigurojmë ushqim vetëm sa për të mbijetuar, por nganjëherë thjeshtë durojmë urinë,” thotë Taha al-Nahari, një banor i keq ushqyer i zonës së Hodeidah.
Gjithashtu, njerëzit po vdesin nga sëmundjet e parandalueshme për shkak të mungesës së shërbimeve shëndetësore, të cilat u siguronin njerëzve ilaçet e nevojshme, por që janë shkatërruar në pjesën më të madhe.
Lufta ka vrarë deri tani mbi 10 mijë civilë dhe e ka çuar vendin në një nga krizat e urisë më të tmerrshme në botë. /observer.al/