Muslimanët e Arakanit (Rohingya) të cilët kanë arritur t’i shpëtojnë masakrave të ushtrisë budiste dhe të ikin drejt Indisë, janë duke qëndruar në kampe në kushte të vështira
Muslimanët e Arakanit (Rohingya) të cilët kanë arritur t’i shpëtojnë masakrave të ushtrisë budiste dhe të ikin drejt Indisë, janë duke qëndruar në kampe në kushte të vështira, raporton Anadolu Agency (AA).
Një numër i madh i muslimanëve të Arakanit kanë humbur jetën që nga 25 gushti si rezultat i sulmeve të ushtrisë së Mianmarit, e cila pohon se është duke luftuar militantë të armatosur. Gjatë sulmeve të ushtrisë janë djegur dhjetra fshatra, ndërsa dhejtra mijëra muslimanë të Arakanit përpiqen të ikin nga rajoni për shkak të sigurisë.
Një pjesë e muslimanëve të Arakanit, shumica e të cilëve janë gra dhe fëmijë, të cilët kanë arritur të ikin dhe të vendosen në kampin në qytetin Hajderabad të Indisë, janë duke përjetuar vështirësi të mëdha për shkak të kushteve të pavolitshme në kampe.
Muslimanët, të cilët po përpiqen të mbijetojnë nga ndihmat që u janë dërguar nga Xhemat-i Islami dhe shoqata Human Welfare Foundation, i bëjnë thirrje botës për mbështetje.
Fëmijët të cilëve u janë vrarë nënat apo baballarët nga forcat e ushtrisë, ecin këmbëzbathur meqë nuk kanë këpucë për të veshur, ndërsa copat e drunjve i përdorin në vend të lodrave.
Gjurmët në trupin e fëmijëve nga torturat e budistëve, janë tregues i dhimbjeve të tyre.
Siç mësohet, njëri nga fëmijët, Molana Muhamed, nëntëvjeçar babai i të cilit është vrarë në një sulm në të cilin ai ka shpëtuar i plagosur, ka humbur të folurit.
5-6 familje qëndrojnë në një barakë
Maksud Ahmed, përgjegjës i kampit nga Xhemat-i Islami, thotë se në Hajderabad ka mbi 18 kampe në të cilat janë strehuar muslimanë të Arakanit.
Në kampe qëndrojnë mesatarisht nga 300 persona, njofton Ahmed, duke shtuar se në to nuk plotësohen madje as kushtet më themelore.
“Barakat janë shumë të vogla. Në një barakë mund të qëndrojnë pesë deri në gjashtë familje”, tregon Ahmed.
“Njerëzit ushqeheshin me gjethe pemësh”
Molana Sultan Muhamed, i cili ka arritur t’i shpëtojë masakrës në fshatin Fakirabazaar, tregon se me ditë të tëra pas ikjes kishin zhvilluar luftë për mbijetesë në male.
“Ne si muslimanë të Arakanit u përballëm me torturat e budistëve. Na thanë ‘O i përshtateni kushteve tona, o ikni që këtu ose vdisni’. Njerëzit e torturuar braktisën shtëpitë e djegura në të cilat kishin jetuar me frikë dhe u fshehën në male. Personat e uritur, të përballur me vështirësi për të gjetur ushqim për shkak të qëndrimit në mal, ushqeheshin me gjethe pemësh”, rrëfen Muhamed.
“Gratë u përdhunuan”
Muhamed tregon se në mal kishte ikur së bashku me një grup prej 200 vetash dhe se pas një udhëtimi të vështirë njëmujor kishin arritur në Hajderabad të Indisë.
“Në kamp të paktën nuk frikohemi se do të vdesim, por jetojmë në mënyrë më të zakontë. U përballëm me tortura të budistëve. Fëmijë, gra, pleq dhe të rinj u vranë, kurse gratë u përdhunuan”, thotë ai.
Muhamed thotë se i bëjnë thirrje të gjitha shteteve që t’i japin fund gjendjes me të cilën janë përballur muslimanët.
“Këtu ka një situatë tepër të rëndë”
Sinan Akılotu, vullnetar i Shoqatës për Ndihmë dhe Solidaritet Cansuyu nga Turqia, me lotë në sy rrëfen situatën në kamp.
Ai u bëri thirrje liderëve muslimanë që sa më parë të mobilizohen për t’i dhënë fund tmerrit në Arakan.
“Këtu ka një situatë tepër të rëndë. Umeti duhet të bashkohet për të ndalur këtë tirani. Nuk duhet ta shpërfillim këtë vuajtje të njerëzve vetëm duke e dënuar atë. Për hirë të Zotit, muslimanë, ndërhyni në këtë çështje. Këta njerëz janë në gjendje shumë të keqe. Nuk ka nevojë për shumë fjalë. I gjithë njerëzimi, liderët e shteteve muslimane, le t’i thonë ‘ndal’ këtij tmerri”, tha Akılotu, duke shtuar se bëhet fjalë për një gjendje në të cilën patjetër duhet të ndërhyhet.