Mursi flet prapa grilave: Po gjykohem në mungesë

Presidenti i parë i Egjiptit i zgjedhur në mënyrë demokratike, Muhamed Mursi, është ankuar për kushtet e gjykatës në të cilën gjykohet dhe për gjykimin e tij brenda një kafazi të qelqit, duke thënë se edhe pse është i pranishëm në sallën e seancave, sërish ndihet sikur të gjykohet në mungesë, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Reflektimi i zërave brenda kafazit të qelqit më shkakton marramendje. Për shkak të sistemit të ndriçimit brenda, ndihem sikur gjykohem në mungesë”, është shprehur Mursi në senacën e sotme gjyqësore të procesit gjyqësor “bastisja e burgjeve” në Gjykatën Penale të Kajros, në të cilën gjykohen 28 të pandehur, mësohet nga burimet gjyqësore.

“Jam në sallën e seancave, por ndihem sikur gjykohem në mungesë. Nuk mund ta shoh jurinë. Nuk e di nëse ata më shohin mua. Po ashtu, mund ta dëgjoj vetëm me ndërprerje atë çfarë thotë pala mbrojtëse. Prej muajsh nuk jam takuar me avokatët e mi”, ka theksuar Mursi, duke u ankuar për kushtet e gjykatës.

Në ndërkohë, siç thuhet, ndaj fjalëve të Mursit është përgjigjur kreu i jurisë së gjykatës, Muhamed Shirin Fehmi.

“Gjykata ju sheh. Kur vërejta se ju nuk e dëgjoni zërin, atëherë urdhërove që brenda të vendoset sistemi zëri. Mund të jeni të sigurtë se gjykata është e drejtë dhe e sinqertë. Gjykata nuk ka lidhje me politikën. Procesi juaj gjyqësor është duke vazhduar në përputhje me ligjet”, njoftohet të ketë thënë Fehmi.

Nga ana tjetër, dëshmitarët okularë thonë se kafazi në të cilin ndodhet Mursi gjendet në pjesën e pasme dhe se të pranishmit nuk mund ta shohin atë, por vetëm ia dëgjojnë zërin.

Ndryshe, më 16 qershor të vitit 2015 gjykata kishte vendosur dënim me vdekje për Muhamed Mursin në lëndën “bastisja e burgjeve”, megjithatë, Gjykata e Apelit kishte prishur vendimet për Mursin dhe të pandehurit e tjerë më 15 nëntor të vitit 2016, duke vendosur që ata të rigjykohen nga një juri tjetër.