Vedat Muriqi i është bashkuar sot ekipit të Mallorcas në stërvitje pas një kohe të gjatë.
Ylli kosovar ishte lënduar në pjesën e parë të muajit nëntor në ndeshjen mes Kosovës dhe Izraelit, të zhvilluar në Prishtinë.
Që nga ajo kohë, sulmuesi prizrenas s’ka mundur ta ndihmojë ekipin spanjoll në La Liga dhe në Kupën e Spanjës.
E sot, mediumi spanjoll “Marca” raporton se 29 vjeçari i është bashkuar ekipit duke ushtruar në grup.
Sidoqoftë, kjo nuk nënkupton se “Pirati” do të jetë në dispozicion të trajnerit Javier Aguirre për ndeshjen e 3 janarit kundër Real Madridit.
Mediumi spanjoll konfirmon se Muriqi do të mungojë në ndeshjen e “Santiago Bernabeut” pasi Mallorca nuk dëshiron të rrezikojë derisa lojtari po kthehet nga lëndimi, respektivisht nga tërheqja muskulore.
Ideja e klubit spanjoll është që lojtarin kryesor ta ketë në dispozicion më 13 janar, kur do ta ketë një lojë të rëndësishme kundër Celta Vigos.
Muriqi e kishte ndihmuar Mallorcën të shpëtonte pa rënë nga liga në dy sezonet e fundit, ndërsa këtë mision do ta ketë edhe pasi të rikthehet, në pesë muajt e fundit të sezonit.
Pra, lëndimi që e pësoi derisa ishte duke luajtur për “Dardanët” e la Muriqin jashtë fushës së blertë më shumë se që pritej – plot dy muaj.
Muriqi këtë sezon ka luajtur gjithsej 12 ndeshje, ndërsa ka realizuar 4 gola dhe ka asistuar 2 të tjerë.