Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi ka filluar rikuperimin e tij dhe te Mallorca po shpresojnë që ai të jetë gati për ndeshjen kampionale kundër Rayo Vallecanos që luhet më 20 tetor.
Muriqi, i cili u dëmtua javë më parë në stërvitje, ka filluar me stërvitje individuale në palestër dhe javën e ardhshme pritet t’i bashkohet pjesës tjetër të ekipit në fushë.
30-vjeçari i ka munguar Mallorcas në dy ndeshjet e fundit në La Liga, ndërsa deri më tani këtë sezon ka shënuar 1 gol dhe ka bërë 1 asistim në 6 paraqitje kampionale.
Shkaku i dëmtimit të muskulit të këmbës, Muriqi do t’i mungoj edhe Kombëtares së Kosovës në dy ndeshjet e këtij muaji të Ligës së Kombeve, me Lituaninë dhe Qipron.
Më 12 tetor, Kosova luan në udhëtim ndaj Lituanisë, ndërsa tri ditë më vonë, e pret Qipron në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.