Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi ka gjasa të mëdha ti mungoj Mallorcas në ndeshjen kampionale të këtij vikendi.
Mediumet spanjolle, kanë njoftuar të martën se klubin spanjoll po e shqetëson gjendja e Muriqit, i cili thuhet se ka një shqetësim muskulor.
Në fakt, Muriqi ishte pjesë e Kosovës në dy ndeshjet e Ligës së Kombeve dhe në të dyja u zëvendësua në pjesën e dytë.
Në fitoren e “Dardanëve” 4:0 të hënën mbrëma ndaj Qipros, Muriqi që shënoi dy gola u zëvendësua me të përfunduar pjesa e parë.
Në fakt, thuhet se Muriqi ka kërkuar vet zëvendësimin dhe te Mallorca do ta monitorojnë gjendjen e tij deri para ndeshjes me Villarrealin, e cila luhet të shtunën dhe i takon xhiros së 5-të të La Ligas.
Muriqi, po ashtu u zëvendësua edhe në humbjen e Kosovës 3:0 nga Rumania në Prishtinë dhe në stërvitjen e fundit para nisjes për në Qipro, ai ka stërvitur i diferencuar nga pjesa tjetër e ekipit të “Dardanëve”.
30-vjeçari këtë sezon në kampionatin spanjoll ka shënuar 1 gol dhe ka bërë 1 asistim në katër ndeshje të luajtura për Mallorcan, ekip që renditet i dhjeti në tabelë me 5 pikë të tubuara.