Sulmuesi Vedat Muriqi nuk do të jetë në dispozicion të selektorit Primozh Gliha për dy ndeshjet e fundit të kualifikimeve për “Euro 2024”. Muriqi nuk ishte i pranishëm në stërvitjen e së martës për shkak të lëndimit që e pësoi në fitoren 1:0 ndaj Izraelit. Shkaku i lëndimit u detyrua ta lëshojë fushën në minutën e 66-të.
FFK-ja ka bërë të ditur se Muriqi do t’i humbasë dy ndeshjet e fundit të këtij cikli eliminator, me Zvicrën dhe Bjellorusinë. Të shtunën, Kosova luan në Basel ndaj Zvicrës, ndërsa tri ditë më vonë, e pret Bjellorusinë në Prishtinë.
“Kombëtares në grumbullim iu kanë bashkuar edhe Florent Hadërgjonaj dhe Mërgim Vojvoda, të cilët munguan në ndeshjen e parë, derisa në stërvitje ka munguar Vedat Muriqi, i cili është lënduar në pjesën e dytë kundër Izraelit dhe tashmë pas ekzaminimeve mjekësore është konstatuar se do t’i humbasë dy ndeshjet e fundit të kësaj fushate kualifikuese”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e FFK-së.
Detaje tjera për lëndimin e Muriqit nuk janë bërë të ditura, por thuhet se sulmuesi ka lënduar pulpën e këmbës së majtë dhe pritet të mungojë për disa javë.