Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi është shprehur tejet i lumtur me golin e shënuar por edhe fitoren e skuadrës së Mallorcas.
Muriqi, të dielën shënoi golin e fitores për Mallorcan që mposhti 2:1 në shtëpi skuadrën e Rayo Vallecanos.
Për Muriqin, kjo ishte ndeshja e parë që u aktivizua për 90-të minuta pas një kohe të gjatë.
Po ashtu, ai shënoi edhe golin e tij të parë pas më shumë se katër muajve për shkak të lëndimit që e mbajti jashtë fushe për një periudhë të gjatë.
“Është ndjenjë shumë e mirë. Kur trajneri më tha se do të jem titullar, me padurim prisja të shihja rikthimin e Muriqit të vërtetë, atij që shënon gola dhe siguron tri pikët. Ishin këto 90-të minutat e para pas një kohë te gjatë dhe po ashtu goli ishte i rëndësishëm, prandaj jam i lumtur.
Në fund, morëm fitore të vlefshme”, tha Muriqi për faqen zyrtare të Mallorcas. Aktualisht, Muriqi ka shënuar 5 gola këtë edicion në kampionatin e Spanjës.