Ballina Sport Futboll Muriqi e Berisha optimistë para duelit me Norvegjinë

Muriqi e Berisha optimistë para duelit me Norvegjinë

Kombëtarja e Kosovës në futboll ka mbajtur të hënën paradite seancën e fundit stërvitore para udhëtimit në Olso, ku të mërkurën do ta luaj miqësoren me Norvegjinë.

Edhe në këtë stërvitje, të zhvilluar në kampin nacional të FFK-së në Hajvali, trajneri Franco Foda ka pasur të gjithë futbollistët në dispozicion, me përjashtim të Elbasan Rashanit që ka stërvitur i diferencuar nga grupi. Kjo seancë nuk ishte aq e ngarkuar për skak të udhëtimit, por trajneri Foda ka aplikuar skema të ndryshme të lojës që planifikon t’i kundërvihet Norvegjisë.

Sulmuesi Vedat Muriqi dhe mesfushori Valon Berisha kanë folur në lidhje me këtë grumbullim, si dhe pritjet që i kanë për miqësoren në Oslo. Muriqi ka vlerësuar lart Norvegjinë, ndërsa ka thënë se sulmuesi Erling Haaland nuk do ta ketë aspak lehtë përball kapitenit të Kosovës, Amir Rrahmanit.

“Si zakonisht e kemi filluar kampin me intensitet të lartë të stërvitjeve siç e dëshiron trajneri. Sot e patëm anën taktike dhe tani i dimë dobësitë e Norvegjisë dhe jemi të gatshëm ta përballojmë këtë sfidë. Ata kanë lojtarë superyje botërore, por nëse bazohemi te Haaland edhe ne kemi kapitenin tonë që e ka fituar Serinë A, ka luajtur në Ligën e Kampionëve, kështu që nuk besoj se Haaland do ta ketë të lehtë kundër nesh dhe sidomos Amirit. Futbolli nuk është vetëm me lojtar individ, por individët mund të jenë çelësi i fitores, por në këtë aspekt mendoj se Norvegjia përveç individëve nëse dëshiron të na mposhtë duhet të jetë kompakte. Mendoj se ne jemi më të fortë kolektivisht, derisa në aspektin individual duhet të jemi të sinqertë sepse nuk mund të krahasohemi”, ka thënë Muriqi.

Muriqi pret edhe përkrahje nga tribunat ndaj Norvegjisë, sikurse Valon Berisha, i cili para se ti bashkohet Kosovës ka luajtur për “Vikingët”. Berisha ka pranuar se kjo përballje do të jetë e veçantë për të por sigurisht se synon rezultat pozitiv në këtë miqësore.

“Po, jemi të gatshëm. Kemi pasur disa ditë të forta të stërvitjeve, sot ka qenë më shumë seancë taktike. Trajneri na ka organizuar mirë dhe jemi përgatitur mirë. Ushtrimet kanë qenë intensive, pasi kemi pasur nevojë, sepse disa lojtarë kanë pasur pauzë 10 ditore para se të grumbullohemi këtu. Është një ndeshje e veçantë, sepse familja ime jeton atje, atje jam rritur dhe i kam marrë hapat e parë në futboll. Ata më kanë vlerësuar shumë dhe më kanë dhënë shumë besim kur kam qenë i ri. Kam debutuar për Norvegjinë shumë herët. Sigurisht se do të jetë një ndjenjë e përzier, por gjithmonë e kam ndjerë veten shqiptar dhe e kam kënaqësinë dhe privilegjin që të luaj për Kombëtaren e Kosovës. Por, normalisht se është një ndeshje e veçantë sepse njoh shumë lojtarë, por edhe pjesëtarë të stafit që ende punojnë aty e që kanë qenë në kohën time dhe padyshim do të jetë një ndeshje më e veçantë se të tjerat. Ka shumë shqiptarë në Norvegji sidomos në pjesën e Oslos, kështu që besoj se do të ketë shumë tifozë shqiptarë që do të na ndjekin nga afër dhe do të na japin energji shtesë për të bërë paraqitje sa më të mirë”, ka thënë Berisha.

Kosova, të hënën pasdite ka marrë rrugën drejt Oslos, ku të martën do ta mbajë stërvitjen e fundit para duelit me Norvegjinë. Miqësorja mes Norvegjisë dhe Kosovës, luhet të mërkurën prej orës 19:00 në “Ullevaal Stadion”.

Exit mobile version