Mungesa e xhamive, besimtarët falen në borë në -10 gradë (Video)

 

Besimtarët e fesë islame, në mungesë të hapësirave të mjaftueshme, shumë shpesh faljen e xhumasë (siç njihet ndër besimtarë si falja e ditës së premte, e që është një ditë e veçantë për besimtarët myslimanë) shpesh e kryejnë jashtë objekteve të xhamive, në oborret e tyre ose edhe në rrugët pranë tyre.

Kjo ka ndodhur edhe këtë të premte në Prishtinë, edhe pse temperaturat ishin nën minus grad dhe bora kishte mbuluar gjithçka.

Dy video të siguruara nga Mesazhi.com, pasqyrojnë gjendjen reale me të cilën ballafaqohen besimtarët gjatë faljes së namazit të xhumasë.

Njëra është në xhaminë e improvizuar në Dardani, apo sic njihet “Novi Domi”, ndërsa tjetra në xhaminë e “Tophanës”.

Megjithëse autoritetet lokale në Prishtinë e pranojnë se ka pasur kërkesa për ndërtime të reja të xhamive në Prishtinë dhe se për to në disa raste janë lëshuar leje ndërtimi, ato thonë se kjo çështje nuk është e rregulluar siç duhet me ligj.

Edhe Xhamia e Madhe, gurthemeli i së cilës ishte vënë më tetë tetor të vitit 2012, në prezencën e liderëve politikë e fetarë të vendit, nuk është vënë asnjë tullë në ndërtimin e saj.

Për ndërtimin e saj duhet të lëshohet leja e ndërtimit nga Komuna e Prishtinës. Kjo e fundit para pak ditësh e ka formuar një komision për këtë punë.

Në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë, në vitin 2000 numri i xhamive ka qenë trembëdhjetë (13), kurse 16 vite më vonë, ky numër është rritur në 25 sish, të cilat nuk mjaftojnë për të gjithë besimtarët.