Muller largohet nga Gjermania

Sulmuesi i Bayern Munchenit, Thomas Mueller edhe zyrtarisht nuk do të luaj më për Gjermaninë pasi është tërhequr përfundimisht nga futbolli ndërkombëtar.

Të hënën nëpërmjet një video-mesazhi, Mueller ka konfirmuar largimin e tij nga Gjermania. Me mesazhin e tij emocionues, Muller është përshëndetur edhe nga tifozët gjerman, të cilët i ka falënderuar për përkrahjen e madhe.

“Pas më shumë se 14 vjetësh dhe 131 ndeshjeve ndërkombëtare, kam vendosur ta mbyll karrierën me Kombëtaren e Gjermanisë”, ka thënë Muller ndër të tjera në mesazhin e tij.

Ndeshja kundër Spanjës, të cilën Gjermania e humbi dhe u eliminua në çerekfinale të “Euro 2024”, ishte e fundit për Mullerin me kombëtaren.

34-vjeçari ishte protagonist i triumfit të Gjermanisë në Kupën e Botës 2014, ndërsa në turneun e vitit 2010 u shpall golashënuesi më i mirë duke e fituar “Këpucën e Artë”.

Ai në vitin 2010 ka debutuar te Gjermania dhe ka shënuar 45 gola, ndërsa në nivel klubesh, Muller është pjesë e Bayernit dhe ka kontratë deri në verën e vitit të ardhshëm.