Ballina Kulturë Histori Muhaxhirët, dosja britanike – Vështrim

Muhaxhirët, dosja britanike – Vështrim

(Bejtullah Destani, Muhaxhirët – Dosja britanike. Spastrimi etnik i Toplicës, Nishit, Kurshumlisë, Leskovcit, Vranjës 1878-1884, Artini, Prishtinë, 2019, f. 620)

Shkruan: Nuridin AHMETI, Prishtinë

“Muhaxhirët, ka po shkojnë. Gurë e dru, edhe malet po vajtojnë. Vdesinn’borë e vdesinn’shi, vdesin gra me gjithë fmijë, vdesin pleq e vdesin t’ri, bukë pa ngronë e ujë pa pi. Kush e din Zotin, e ka din e iman, muhaxhirëve konak ju banë. Shtini mrena, o për me fjetë. Se ju çon Zoti n’xhenet, se ju shpërblen Zoti n’ahiret”. Kjo është njëra ndër këngët popullore që përshkruan fatin dhe përjetimet e muhaxhirëve pas shpërnguljes nga trojet e tyre.

Shpërnguljet masive të shqiptarëve nga rajoni i Toplicës, Nishit, Kurshumlisë, Leskovcit, Vranjës, kanë gjetur trajtim edhe në historiografinë shqiptare. Kjo ngjarje, sado që ka pasur trajtime, nuk mund të thuhet se është studiuar mjaftueshëm, për arsye se studiuesit tanë nuk kanë pasur qasje në disa nga dokumentet e shkruara për këtë ngjarje nga përfaqësuesit e fuqive të mëdha të kohës, të cilat janë dërguar në qendrat e tyre gjegjëse. Njëra nga fuqitë e mëdha të kohës, që i kishte përcjellë ngjarjet e ndodhura më popullatën e kësaj ane, ishte edhe Britania. Përkitazi me këtë, njëri nga studiuesit tanë, hulumtuesi shumëvjeçar në arkivat e Londrës, diplomati, autori e bashkautori i disalibrave, Bejtullah Destani, këtë vit na e ka sjellë përmbledhjen me dokumente britanike, që flasin për muhaxhirët e Toplicës, Nishit, Kurshumlisë, Leskovcit, Vranjës dhe mizoritë ndaj tyre të ushtruara nga serbët, të gjithë këto të vjela nga arkivat dhe bibliotekat e Londrës.

Përmbledhja e dokumenteve nga studiuesi Bejtullah Destani, e titulluar “Muhaxhirët”, u botua nga Artini në Prishtinë. Dokumentet janë publikuar në dy gjuhë, shqipe dhe angleze, me një parathënietë përgatitur nga Akademik Rexhep Qosja.

Dy fjalë për studiuesin Bejtullah Destanin

Mendoj se është e udhës, që për një studiues si Bejtullah Destani t’ia prezantosh lexuesit disa të dhëna biografike. Por, në këtë rast biografinë e tij prej studiuesi do ta paraqesim në një formë tjetër, kjo për dy arsye kryesore: sepse për këtë studiues, pjesa dërmuese e punimeve të të cilit janë të publikuara në gjuhën angleze nuk hasen të dhëna biografike te Fjalori Enciklopedik i Kosovës. Përgatitësit e këtij fjalori nuk e kanë parë të arsyeshme ta fusin këtë studiues si zë enciklopedik. Por, megjithatë ne në një tjetër mënyrë mendojmë ta paraqesim biografinë e këtij studiuesi, duke u lënë hapësirë të tjerëve të flasin për këtë njeri. Sepse, mendimet e tyre flasin me shumë se çfarë mund të themi ne për këtë studiues.

Studiuesi britanik Noel Malcolm, i njohur edhe si autori i librit “Kosova një histori e shkurtër”, gjatë hartimit të këtij libri, kishte bashkëpunuar edhe me studiuesin Bejtullah Destani. Malcolm-i, duke qenë mirënjohës për ndihmën që Bejtullah Destani i kishte ofruar gjatë përgatitjes së studimit “Kosova një histori e shkurtër”, do të shkruante: “U shpreh miradinë time shumë miqve, të cilët më kanë dhuruar, huazuar, kopjuar materiale ose të cilët më kanë bërë shërbime të ndryshme në këtë fushë: para së gjithash falënderoj Bejtullah Destanin, njohuria e burimeve të historisë shqiptare të të cilit është e jashtëzakonshme dhe enciklopedike”, (Noel Malcolm, Kosova një histori e shkurtër, (Përktheu nga anglishtja Dr. Abdullah Karjagdiu), botimi i dytë, Koha-Prishtinë&Shtëpia e Librit-Tiranë, 2001, f. 9).

Pastaj, Anna Di Lellio, e cila ka disa kontribute shkrimore për të kaluarën e shqiptarëve, për këtë studiues të shquar shkruan, “Bejtullahu posedon njohuri enciklopedike të çdo gjejë shqiptare dhe është pronar i një biblioteke personale jashtëzakonisht të pasur”, (Anna Di Lellio, Beteja e Kosovës 1389 Epos shqiptar, Zëri, Prishtinë, 2010, f. 9).

Mark Palnikaj është një tjetër studiues i cili gjatë hulumtimeve të tij në arkivat e Vatikanit e kishte takuar edhe studiuesin Bejtullah Destani, për të cilin shpreh këto përshtypje “Pata rastin që të takoj studiuesin kosovar Bejtulla Destani, i cili punonte në Vatikan si diplomat i shtetit të Kosovës.., vazhdonte të kryente kërkime të mëtejshme në arkivat e ndryshme të Vatikanit. Ishte një kënaqësi e madhe për mua tek shikoja një studiues të apasionuar të kombit tim, i cili punonte me dëshirë dhe pasion të madh për ta shkruar të kaluarën tonë si komb”, (Mark Palnikaj, “Zbulohet në Vatikan letërkëmbimi i Skëndërbeut me Sulltan Mehmetin”, Nacional, nr. 292, e diele, Tiranë, 15 Mars 2015, f. 12- 13).

Një tjetër të dhënë interesante për pasionin prej hulumtuesi të Bejtullah Destanit e shpërfaq edhe bashkëshortja e tij, Jeni Myftari, në një rast kur bashkërisht kishin marrë një udhëtim nga Londra për Stamboll. Qëllimi i vajtjes së tyre në Stamboll ishte për ta festuar ditëlindjen e 50-të të Bejtullahut. Mirëpo, çifti nuk kishte shkuar në lokalet e bukura që ofron Stambolli për ta festuar përvjetorin e 50-të tij, por së bashku kishin përfunduar në Arkivin e Stambollit duke hulumtuar. Përkitazi me këtë Jeni Miftari shkruan: “Bejtullahi është njeri i çuditshëm, pak ndryshe nga shumica e njerëzve që na rrethojnë çdo ditë. Në vend të magjisë – bukurisë së Stambollit, të ambienteve tërheqëse, të shëtitjeve në det apo restoranteve të famshëm turq, për të përkujtuar 50 vjetorin e tij, ai zgjodhi të qëndronte mes dëshmitarëve të heshtur të historisë shqiptare, në Arkivat Osmane të Stambollit. Gjatë gjithë kohës që qëndruam në Stamboll kemi kërkuar në arkiva dokumente që kanë lidhje me historinë shqiptare dhe me vetë shqiptarët” – shkruan në mes tjerash Jeni Myftari.(“Shqiptarët të kudondodhur në oazin e pafund të dijes – Ayten Krasniqi–Ardel”, http://www.radioislame. com/index.php?frame_rd=artikulli.php?id=2172).

Dosja britanike për muhaxhirët

E theksuam edhe me lart se Bejtullah Destani një pjesë të jetës së tij e ka kaluar në Londër, ku krahas punës për ekzistencë, ia ka kushtuar atë copë edhe hulumtimeve për të kaluarën tonë në arkivat dhe bibliotekat britanike. Si rezultat i këtyre hulumtimeve janë publikuar disa botime, posaçërisht në gjuhë të huaja dhe këto janë lehtë të verifikueshme edhe përmes kërkimeve online. Pjesë e këtij opusi publikimesh nga ky autor është edhe libri “Muhaxhirët”. Ky botim paraqet plojën e popullatës myslimane të Toplicës, Nishit, Prokuplës, Krushumlisë, Leskovcit, Vranjës gjatë viteve 1878-1884. Këto territore sot janë pjesë e Serbisë. Sipas vendimit të Kongresit të Berlinit të vitit 1878, nën presionin e disa fuqive të kohës, posaçërisht të Rusisë, Perandoria Osmane, e cila ishte në tatëpjetën e saj, ishte detyruar që këto territore t’ia lëshonte Serbisë. Marrja e këtyre territoreve nga ushtria serbe u shoqërua me dëbime masive të popullatës shqiptare. Krahas dëbimit, konfiskimit të pasurisë etj., këto largime shpesh u shoqëruan edhe me vrasje. Për këto ngjarje përfaqësuesit britanikë, të dërguar në këto anë, e kishin njoftuar qendrën e tyre, duke dërguar raporte të rregullta. Këto materiale dokumentare, një pjesë e të cilave janë përzgjedhur dhe publikuar në këtë botim, flasin me hollësi për banoret e larguar, numrin e popullsisë, përkatësinë etnike dhe fetare të të larguarve etj.

Për këto padrejtësi, që po ndodhnin ndaj popullatës së rajonit të Nishit me rrethinë, i dërguari britanik nga Beogradi në muajin nëntor 1878 e njofton qendrën me këto informacione “Dëgjova se Qeveria Serbe është sjellë me një vrazhdësi të madhe dhe të panevojshme, madje mizore, me shqiptarët e rajoneve që u dorëzuan kohë me parë…, banorët paqedashës dhe të shkathët të më se 100 fshatrave shqiptare në luginat e Toplicës dhe Vranjës, u dëbuan me një egërsi nga shtëpitë e tyre nga serbet në fillim të vitit. Këta njerëz të mjerë, që atëherë, po bredhin dhe po vriten të uritur dhe të mbetur si të humbur me natyrën e egër, jashtë kufijve të Serbisë së Re. Ata nuk janë lejuar që t’i korrin të korrat në tokën e tyre, përkundrazi ato u janë rrëmbyer nga ushtarakët serbe(f. 47)” – shkruante, mes tjerash, përfaqësuesi britanik nga Beogradi. Pra, të gjitha këto veprime, sipas dokumenteve të prezantuara, po bëheshin në mënyrë të planifikuar nga serbët, pa iu përmbajtur premtimit që princi i Serbisë e kishte dhënë në Berlin për garantimin e pronës së tyre “Serbia nuk po e mban dot fjalën (f. 65)”- citohet në një dokument. Kështu, në “Arnaut Mahallesi” (f. 90-92), e cila gjendej në Nish dhe para pushtimit nga Serbia kishte rreth 300 shtëpi më 1500 banorë shqiptarë, tanimë nuk kishte pothuajse asnjë banorë shqiptarë, theksojnë burimet. Popullata myslimane shqiptare ishte e detyruar t’i lëshonte shtëpitë e tyre vetëm e vetëm për t’i shpëtuar fëmijët. Të njëjtin fat si të “Arnaut Mahallesi” e kishte pasur edhe “Arnaut Bazari (f. 121)”, i cili ndodhej në Nish.

Është për t’u potencuar edhe një raport që i dërgohet Britanisë, ku jepen disa të dhëna për banorët e Nishit dhe disa objekte të kultit mysliman në këtë qytet para dhe pas pushtimit serb. Mendojmë se prezantimi i këtij raporti është tregues edhe për viset e tjera se çfarë ka ndodhur me popullatën e tyre dhe objektet e kultit mysliman. Bie fjala, sipas raportit, para se të pushtohej ky qytet nga serbët, aty kishte 10.000 të krishterë (ortodoksë), 8.000 myslimanë, 300 çerkezë, 700 hebrenj dhe 15 xhami. Pas pushtimit të këtij qyteti nga Serbia, gjithmonë flasim sipas raportit, numri i të krishterëve ortodoksë rritet për 2000: nga 10.000 që ishin para pushtimit, tani ishin evidentuar 12.000. Ndërkaq, numri i myslimanëve zbret dukshëm: nga 8.000 sa kishin qenë, pas pushtimit ishin evidentuar 300. Çerkezë nuk kishte mbetur asnjë, ndërsa numri i hebrenjve nuk kishte lëvizur fare, pra kishte mbetur i njëjti si para pushtimit. E kur flasim për xhamitë, nga 15 sa ishin evidentuar para pushtimit, 11 prej tyre ishin rrënuar dhe kishin mbetur vetëm 4 (f. 120-121). Më vonë aty kishte mbetur vetëm një xhami.“ Tani turqit kanë vetëm një xhami (f. 122)”.

Përfundim

Si përfundim mund të themi se libri i Bejtullah Destanit është prurja më e mirë në gjuhën shqipe dhe angleze për muhaxhirët e Nishit me rrethinë. Në afro tetëdhjetë dokumentet e publikuara në gjuhën shqipe, të shoqëruara edhe me origjinalin në gjuhën angleze, në afro tridhjetë foto dhe piktura të prezantuara në këtë libër, lexuesi shqipfolës dhe i huaj do gjejë argumente të bollshme se çfarë kishte ndodhur me këto vise me popullatën dhe pronat e tyre etj. Lexuesi do ta shohë se si kanë shkruar diplomatët në materialet e dërguara, kundruall mizorive serbe ndaj shqiptarëve, edhe me tone jo të zakonshme për diplomatët, duke i paraqitur serbët si: “mizorë”, “egërsi”, etj.

Disa dokumente bëjnë fjalë edhe për të larguarit nga vatrat e tyre në rajonet që sot i përkasin Bullgarisë (f. 54, 57), por pjesa dërmuese e dokumenteve të përmbledhura në këtë libër lidhen me rajonin e Nishit me rrethinë dhe fatin e popullatës shqiptare myslimane të kësaj ane.

Kjo përmbledhje dokumentesh është një informacion i mirë për të gjitha ata që dëshirojnë të dinë më shumë rreth këtyre ngjarjeve, vështruar nga të dërguarit britanikë. Ky botim është ndihmesë e mirë për demografët, të cilët janë të interesuar të dinë më shumë për numrin e popullsisë së kësaj ane, për lëvizjet e popullsisë, numrin e fshatrave etj. Studiuesit e onomastikës, në këtë libër, do të gjejnë të dhëna edhe për disa emra të vendeve, emërtime pazaresh, lagjesh etj., ndërsa dashamirët e trashëgimisë kulturore, në këtë libër, kanë mjaft te dhëna për numrin e shtëpive, numrin e objekteve të kultit, posaçërisht të kultit islam, si xhamitë, teqetë e tyrbet, të cilat janë të evidentuara në këto dokumente. Fatkeqësisht, pjesa dërmuese e tyre nuk ekzistojnë sot, sepse janë rrënuar tërësisht. Studiuesit e trashëgimisë, por edhe të interesuarit tjerë, do të gjejnë të dhëna edhe për rrugët e këtyre vendeve dhe si u transformuan objektet e kultit dhe disa rrugica tradicionale nga disa inxhinierë, kjo gjoja në emër të urbanizimit (f.123). Me një fjalë, dashamirët e trashëgimisë kulturore do të kenë rastin që një pjesë të këtyre objekteve t’i shohin edhe të ilustruara me foto dhe piktura. /shenja

Exit mobile version