Ballina Autorë Opinione Muhammedi a.s. prind i mirë dhe kujdestar i jetimëve

Muhammedi a.s. prind i mirë dhe kujdestar i jetimëve

Afijete Hoxha, Londër

Lavdia dhe falënderimi qoftë për Allahun e plotfuqishëm, prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje prej të Madhit Zot nga veprimet e këqija të shpirtit tonë dhe nga mëkatimet në punët tona. Atë që Allahu e udhëzon në rrugën e drejtë nuk ka kush t‘a devijojë dhe atë që Allahu me drejtësinë dhe urtësinë e Tij e lë në lajthitje nuk ka kush t‘a udhëzojë. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar më të drejtë përveç Allahut, një i vetëm, pa rival dhe dëshmoj se Muhammedi (s.a.w.s) është rob dhe i dërguar i Tij.

Fjalët më të drejta janë fjalët e Allahut, udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Pejgamberit Muhammed a.s, gjërat e këqija janë ato të shpikurat, çdo shpikje është bidat, çdo bidat është devijim dhe çdo devijim përfundon me zjarr.

Nevoja për ta implementuar traditën profetike është domosdoshmëri për të gjitha kohërat dhe për mbarë globin tokësor e sidomos tani kur shoqërinë tonë muslimane po e shoqërojnë dhe po e godasin pa mëshirë sfida të shumëllojshme satanike.

Allahu i Madhëruar thotë në librin e Tij të shenjtë:
’’Në të dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë që, shpreson tek Allahu dhe Ditën e Fundit dhe e përmend shumë Allahun.’ (Sure Ahzab)

Për t’u realizuar shëmbëlltyra e Pejgamberit a.s, në shoqërinë tonë, duhet të fillojmë, pikë së pari, t‘a zbatojmë mesazhin hyjnor në familjet tona dhe kjo, duke filluar me veten dhe fëmijët tanë.

Edukimi i fëmijëve është një kapitull i rëndësishëm në legjislacionin islam dhe kjo kuptohet nga numri i madh i ajeteve dhe haditheve, që flasin për këtë temë. Në Kuran ka 297 ajete që flasin në mënyrë të drejtpërdrejtë për fëmijët, kurse ajetet që flasin në mënyrë indirekte arrin shifrën 342, nëpërmjet të cilëve fitojmë moralin e artë si dhe kulturën madhështore. Po ashtu islami na mëson që të kujdesemi edhe për ata fëmijë jetimë të cilët, nuk i shoqëron dashuria prindërore dhe kjo duhet të na zgjojë ndërgjegjen dhe mëshirën për ta.

Allahu i Madhëruar i dhuroi Pejgamberit, a.s, fëmijë dhe sjellja e tij ndaj fëmijëve është margaritar, që na ndriçon zemrat, është një universitet ku përfitojmë dije dhe njohuri se si duhet të jemi prindër dhe kujdestarë të mirë ndaj fëmijëve, me një përgatitje të përsosur psikologjike, shpirtërore e intelektuale. Përgatitja jonë si prindër, sipas metodologjisë islame, nën ombrellën e udhëzimeve Pejgamberike, kërkon orientim shkencor. Orientimi shkencor mundëson largimin e individit nga injoranca, dekadenca në aspektin moral si dhe nga të gjitha errësirat e djallëzuara.

Pejgamberi a.s, na këshillon në një hadith të tij, duke theksuar: ‘’Prindi është kujdestar dhe përgjegjës i kopesë së tij’’ (Buhariu dhe Muslimi).

Ky hadith sinjalizon dhe na bën me dije që të jemi vigjilentë, të sillemi me edukatë të mirë ndaj fëmijëve tanë që edhe fëmijët tanë më pas, të kenë një edukatë të mirë të cilën do ta marrin prej nesh. Në anën tjetër ne si prindër do të jemi përgjegjës për sjelljet e palakmueshme të fëmijëve tanë.

I Dërguari i Allahut s.a.w.s. na këshillon gjithashtu në një hadith tjetër, ku thotë: “Bëhuni fisnikë ndaj fëmijëve tuaj dhe zbukuroni edukatën e tyre.” (Enes Ibn Malik)

Ky mesazh profetik kërkon mund për ta zbatuar ndërkohë që edukimi i fëmijëve në frymën islame është vepër madhështore që kënaq Zotin tonë. Edukata islame që duhet t’ia mësojmë fëmijëve duhet të fillojë duke ngulitur në zemrat e tyre dashurinë për Allahun dhe Pejgamberin a.s. pastaj, ti këshillojmë që të zbatojnë udhëzimet e Kur’anit dhe sunnetit.

Pejgamberi s.a.w.s. thotë: ‘’Urdhëroni fëmijët tuaj të falen në moshën shtatë vjeçare, ndërsa i ndëshkoni për të, në moshën dhjetë vjeçe dhe ndani në shtretër’’ (Ebu Davudi)

Namazi i sinqertë të ndalon nga punët e shëmtuara dhe nëse fëmijën e edukon që të jetë praktikues i këtij obligimi ai me lejen dhe vullnetin e Zotit do të jetë i edukuar dhe i moralshëm. Në anën tjetër, ne duhet të punojmë me ta, të jemi të durueshëm, të jemi të afërt çdo moment, kur ata kanë nevojë për ne si prindër.

Edukimi i mirë dhe i drejtë i fëmijëve është trashëgimia më e çmuar e më e shtrenjtë që prindi i devotshëm le pas vetes së tij. Profeti i Mëshirës s.a.w.s. thotë: ’’Nuk mundet prindi ti lerë fëmijës asgjë më të vlefshme dhe më të çmuar se edukatën e mirë’’(Tirmidhiu)

Sa i përket sjelljes së Pejgamberit a.s. ndaj fëmijëve ajo pasqyron mëshirën, butësinë, mirësjelljen, afërsinë, dhembshurinë e dashurinë. Në një rast shprehet kështu: “Disa herë e bëj nijet t‘a fal gjatë namazin, mirëpo kur dëgjoj vajin e ndonjë foshnje e shkurtoj atë, me qëllim që të mos i jap siklet nënës së fëmijës“.(Buhariu)

Edhe pse krahas ajeteve Kuranore edhe vetë Profeti s.a.w.s ua tërhiqte njerëzve vërejtjen për përqendrim në namaz, por kur bëhej fjalë për fëmijët ai tregonte një mirëkuptim dhe tolerancë të jashtëzakonshme.

Pejgamberi a.s, shpesh i puthte dhe i ledhatonte fëmijët duke i marrë në krahë, luante me ta dhe bënte shaka. Ndërsa Pejgamberi a.s. e puthi një ditë Hasanin, të birin e Aliut dhe Fatimes, Zoti qoftë i pëlqimit me ata të dy, një prej shokëve të tij i tha: “Kam 10 fëmijë por kurrë nuk kam puthur ndonjërin prej tyre”, për këtë Pejgamberi s.a.w.s. i tha: “Kush nuk ka mëshirë as që e meriton mëshirën” (Buhariu)

Prindërit duhet të gjejnë rastin dhe kohën të luajnë me fëmijët e tyre, siç ka bërë Muhamedi a.s. Ai shfrytëzonte çdo rast, për të mësuar fëmijët si të kenë sjellje të mirë dhe si të sillen ndaj prindërve të tyre. Kështu Ebu Hurejre transmeton hadithin ku: “Pejgamberi a.s, pyet një djalë të ri se kush është njeriu që ishte me të. Djaloshi u përgjigj se ishte babai i tij. Atëherë i dërguari i Allahut e këshilloi: Mos ec para tij, mos e shaj, mos u ul para tij dhe mos e thirr në emër.“

Pejgamberi a.s u mësoi fëmijëve edukatën e të ushqyerit duke i këshilluar të lajnë duart para të ngrënës, të fillojnë me bismil-lah, të hanë me dorën e djathtë, ta mbajnë ushqimin para vetes dhe t‘a përfundojnë atë, duke falënderuar Furnizuesin e Përhershëm, Zotin e gjithësisë. Pra, mësimi i fëmijëve, respekti ndaj më të mëdhenjve dhe obligimi i marrjes së diturisë së mirëfilltë burojnë nga Islami. Andaj do të ishte gabim i madh dhe metodë e dështuar që sjellja e prindit të jetë në kundërshtim me porositë e Islamit, për një edukim të mirë të fëmijës. Po ashtu prindërit duhet të jenë të sinqertë në fjalë dhe vepra me fëmijët e tyre, transmetohet nga Ebu Hurejra r.a se Pejgamberi a.s, ka thënë: ”Kush i thotë fëmijës eja të të jap diçka e nuk ia jep, kjo llogaritet gënjeshtër.”

Mësuesit të njerëzimit, Muhammedit a.s, nuk i jetuan djemtë dhe kur ata ndërruan jetë ai, u pajtua me caktimin e Allahut dhe tregoi shembullin më të mirë që duhet pasuar e ndjekur nëse ndonjërin prej nesh e godet një caktim i tillë. Kur po ndërronte jetë djali i Pejgamberit a.s – Ibrahimi, i cili akoma ishte në gjirin e nënës së tij, Muhamedi a.s, e mori në gjoks dhe e puthi, ndërsa sytë e tij rrodhën lot. Një prej shokëve të tij e pyeti: A edhe ti po qan, o Resulullah?”, ai i tha: ”Këta lot vijnë nga mëshira e dhembshuria, sytë qajnë kur zemra është e dëshpëruar, por ne themi atë, me të cilën do të jetë i kënaqur Krijuesi ynë.” [Buhariu]

Ndërsa duke folur për jetimët Profeti Muhammed s.a.w.s. tregohet akoma dhe më i kujdesshëm. Kjo për vetë rëndësinë që Allahu Fuqiplotë i jep jetimëve në Kur’an. Fjala jetim përmendet në 12 kaptina të Kuranit dhe në 23 ajete.

Në terminologjinë Islame, “jetim” konsiderohet ai fëmijë të cilit i vdes babai dhe që është nën moshën e pjekurisë. Legjislacioni Islam i kushton vëmendje të jashtëzakonshme fëmijëve së mbetur jetim.

Dua të përmend këtu se edhe vetë Pejgamberi a.s. ka qenë jetim. Ndoshta është vështirë të paramendohet se njeriu i cili me lejen e Allahut e ndryshoi botën, ka lindur jetim pasi, babai i tij, Abdullahi, ndërroi jetë para lindjes së të birit. Profeti s.a.w.s. jo vetëm lindi jetim por edhe u rrit jetim me plot kuptimin e fjalës, pasi në moshën gjashtë vjeçare i vdiq edhe e ëma-Eminja. Ky është jetimi, i cili u rrit nën mbikëqyrjen e kujdesit Hyjnor. Pas vdekjes së gjyshit të tij, Abdul Mutalib, Allahu i Madhëruar ia mundësoi strehimin dhe kujdesin nga xhaxhai i tij Ebu Talib.

Allahu i Madhëruar thotë në Kur’an për Pejgamberin a.s,: ’’A nuk të gjeti (Allahu) ty (o Muhammed) jetim dhe të dhuroi strehim e kujdesje?’ Sure Ed-Duha-6

Me ketë ajet kuptojmë se jetimit duhet t’i japim përkrahje dhe të kujdesemi për rritjen dhe strehimin e tij. Për ketë vepër madhështore na motivon i Dërguari a.s. kur thotë: ’’Unë dhe kujdestari i jetimit në xhennet jemi kështu, dhe bashkoi gishtin tregues dhe gishtin e mesit’’ (Buhariu)

Pejgamberi a.s, ka thënë shtëpia më e mirë ndër muslimanët është ajo shtëpi në të cilën ndodhet një jetim dhe që mirëtrajtohet, ndërsa shtëpia më e keqe ndër muslimanët është ajo shtëpi në të cilën ndodhet një jetim dhe që keqtrajtohet.
Pasuria e jetimëve duhet ruajtur me besnikërinë dhe kujdesin më të madh dhe të mos u dorëzohet derisa të arrijnë moshën e pjekurisë. Allahu i madhëruar thotë: ’’Nëse vëreni se janë pjekur (jetimët), atëherë jepuani pasurinë e tyre!’’ Sure Nisa 6

Ngrënien e pasurisë së jetimit, Pejgamberi a.s, e ka konsideruar si një prej gjynaheve të mëdha.

’’Vërtetë, ata që shpenzojnë pasurinë e jetimit pa të drejtë, vetëm mbushin barkun e tyre me zjarr dhe ata do të digjen në zjarrin flakërues.’’ -thotë Allahu në Kur’an, në Suren Nisa, ajeti 10.

Është e njohur shprehja se, ai që nuk e ka diçka nuk mund ta japë atë. Nëse fëmija jetim nuk mëshirohet në vogëli, ai nuk ka për të mëshiruar të tjerët kur të rritet.

Mëshira e Pejgamberit a.s, është mëshirë e të fuqishmeve dhe bujarëve e jo mëshirë e të dobëtëve dhe të mjerëve.

Së fundi lus Allahun të na ndriçojë zemrat me dritën e imanit, paqja e dashuria të mbizotërojë në gjokset tona, veprat tona të reflektojnë shkëndijën e Kur’anit dhe Sunnetit, për herë të jemi të kënaqur që për Zot – të kemi Allahun, për Pejgamber – Muhammedin a.s. dhe për fe – Islamin si dhe fjala e fundit para takimit me melekun e vdekjes të jetë fjala la ilahe il-lallah Muhammedun resulull-llah.

Exit mobile version