Në kohën para lindjes së Muhamedit as., shoqëria njerëzore ishte në gjendjen më të ulët që ka njohur historia. Për shkak të kësaj gjendjeje, edhe historianët, atë periudhë kohore e quajtën koha e injorancës, sepse vlerat dhe virtytet njerëzore kishin humbur tërësisht. Mirëpo, deshi Allahu të lëshojë mëshirë mbi njerëzimin, dhe këtë mëshirë e solli me dërgimin e të Dërguarit të Tij, Muhamedit a.s., i cili për mision kishte ngritjen e këtyre vlerave shpirtërore, shoqërore e humane. Për këtë arsye, shembulli dhe personaliteti i Pejgamberit a.s., do të mbetet sinonim i virtyteve më të larta njerëzore. Kështu, Allahu na lajmëroi në Kuranin famëlartë: “Në të dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm…” (El Ahzab, 21).
Pra, Allahu me urtësinë e Tij, bëri që ky njeri të merret shembull nëpër të gjitha epokat historike pasuese, aspekte specifike të të cilit do të jenë modestia, përulësia e pedanteria.
Çfarë do të thotë të jesh njeri modest, njëkohësisht dhe pedant?
Nëse i shikojmë fjalorët e gjuhës shqipe, gjejmë se njeri modest është ai i cili nuk mburret me aftësitë që zotëron, ose për punën e rëndësishme që bën, ose që nuk e mbivlerëson vetveten. Pra, modesti është thjeshtësi dhe pranim i së vërtetës.
Ndërsa të jesh njeri pedant është të jesh njeri që të interesojnë gjërat në detaje, në hollësi.
Andaj, me këtë temë kemi për qëllim ta vëmë në pah anën e brendshme që kishte Pejgamberi a.s., dhe reflektimi i saj në të jashtmen e tij.
Allahu i Lartësuar e ngriti Muhamedin a.s., nga njerëzit e tjerë me atë se e bëri pejgamber, e nga pejgamberët e tjerë e dalloi pasiqë e bëri vulë të pejgamberisë dhe e dërgoi për njerëzimin mbarë. Megjithatë, ai zgjodhi ta jetojë jetën e qetë dhe modeste, larg krenarisë dhe mendjemadhësisë, saqë edhe kur iu ofrua të zgjedh në mes asaj që të jetë mbret dhe i dërguar ose rob dhe i dërguar, ai zgjodhi të jetë rob dhe i dërguar.
Prandaj, në një hadith Pejgamberi a.s., thotë: “Unë jam Muhamedi i biri i Abdullahut, rob i Allahut dhe i Dërguari i Tij, nuk dëshiroj të më ngrehni më lartë sesa aq sa më ka ngritur Allahu.” (Imam Ahmedi, 12551).(1)
Ky ishte i Dërguari i Allahut që ishte i afërt me çdokënd, i ndihmonte çdokujt, luante edhe me fëmijët dhe ishte modest në shtëpinë e tij. Ai nuk përtoi t’i kryente edhe punët e shtëpisë. Kur u pyet Aisheja r.a., se çka bën Pejgamberi a.s., në shtëpi, ajo u përgjigj: “I qep rrobat e tij, i rregullon mbathjet e tij dhe punon atë çka e punojnë burrat në shtëpitë e tyre.” (Imam Ahmedi, 24903).(2)
Ky ishte i Dërguari i Allahut që edhe pse ishte prijës i besimtarëve, kurrë nuk e ndjeu vetën mbi të tjerët. Një ditë, një njeri shkoi te Pejgamberi a.s., dhe kur u takuan filloi të dridhej nga emocionet. Pejgamberi a.s., i tha: “Qetësohu, sepse unë nuk jam mbret, por jam bir i një nëne kurejshite që hante mish të tharë.” (Ibën Maxheh, 3312).(3) Kjo, sepse njeriu modest, nuk mashtrohet nga pozita dhe pasuria e kësaj bote. Po ashtu, me rastin e çlirimit të Mekës, Pejgamberi a.s., edhe pse ishte prijës i besimtarëve, nuk hyri në Meke me kokën lart nga mendjemadhësia, por hyri me modesti e krenari për besimin që kishte dhe faljen që do t’ua bënte.
Çfarë modestie përmbante zemra e këtij të Dërguari?! Hapi krahët për të gjithë që kishin nevojë; i madh e i vogël, i afërt e i largët, i pasur e i varfër… Ai ulej edhe me fëmijët e i ngushëllonte nëse u ndodhte ndonjë fatkeqësi, siç është rasti me djaloshin të cilin e ngushëlloi për pëllumbin e tij të ngordhur.
Ky ishte i Dërguari i Allahut që brenda natës u ngrit mbi shtatë qiejt, ndërsa në mëngjes u ulë me të varfrit, të ngratët, jetimët, hallexhitë… ishte në gjendje të dëgjojë me orë të tëra brengat që kishin njerëzit. Pra, nga e gjithë kjo, bëhet e qartë se modesti është të sillesh mirë me njerëzit, çfarëdo pozite që kanë në shoqëri, të pasur apo të varfër, të fortë apo të dobët, të respektuar apo të përbuzur, ndërsa e kundërta e saj është mendjemadhësi.
Prandaj, Pejgamberi a.s., në një hadith tregoi për një dënim të dhembshur që do të jetë në Ditën e Gjykimit, për ata që modestia nuk është cilësi e tyre në këtë botë: “Janë tre lloje njerëzish me të cilët, Ditën e Kiametit, Allahu nuk do të flasë, të cilët nuk do t’i shohë në fytyrë dhe nuk do t’i nxjerrë të pastër (të pafajshëm). Dhe për ta do të ketë një ndëshkim përvëlues.” Pasi i Dërguari i Allahut e përsëriti tri herë këtë thënie, Ebu Dheri r.a., e pyeti: “Këta njerëz paskan mbetur krejt të vetmuar dhe paskan pësuar disfatë të plotë. Kush janë këta, o i Dërguari i Allahut?” I Dërguari i Allahut iu përgjigj: “Janë ata që ecin duke e hequr zvarrë rrobën me mendjemadhësi, që mbahen më të madh për të mirën që kanë bërë dhe që, duke u betuar në gënjeshtër, përpiqen ta shesin mallin me një çmim të mirë.” (Muslim, 171).(4)
Pra, mendjemadhësia dhe mbajtja e vetës më të madh janë aq veti të këqija saqë e privojnë njeriun nga mundësia që Zoti t’i flasë, ta shikojë e ta fal në momentin më të vështirë të tij. Dhe përkundër kësaj modestie që kishte, ai, alejhi selam, i kushtoi rëndësi të veçantë edhe anës së jashtme, dukjes së tij. Pasi që modestia nuk është vetëm të ecësh me kokë ulur, me rroba jo të mira, me trup të dobët e të rraskapitur. Kujto kur Llukmani e këshilloi birin e tij i tha: “Të jesh i matur në ecjen tënde…” (Llukman, 19). Jo me kokë ulur, por me shikim ulur!
Fillimisht, rëndësi të veçantë i kushtoi përgatitjes për namaz. Para se të nisim namazin, adhurimin tonë të përditshëm, mësimet kuranore na porositin që të kemi rroba të pastra. Për këtë erdhi urdhri nga Allahu në Kuranin famëlartë: “O bijtë e Ademit, vishuni bukur kudo dhe kurdo që të faleni!” (El E’araf, 31). Dhe nuk mjaftoi vetëm për adhurim, por na porositi që rrobat tona të jenë të pastra çdoherë: “Dhe rrobat tua pastroji.” (El Muddethir, 4).
Pastaj, prej natyrshmërisë së njeriut është se ai dëshiron të ketë trup, veshje e mbathje të bukura, të pastra. Për këtë, transmeton Ibën Mesudi r.a., se Pejgamberi a.s., ka thënë: “Nuk do të hyjë në Xhenet askush në zemrën e të cilit gjendet sa grimca mendjemadhësi.” Një njeri i tha: “Por, nëse ndokush dëshiron që rroba e tij të jetë e mirë (bukur), dhe mbathjet e tij të mira?” Ai a.s., tha: “Allahu është i bukur dhe e do të bukurën, ndërsa mendjemadhësia është refuzim i së vërtetës dhe poshtërim i njerëzve.” (Muslim,147).(5)
Po ashtu, porosia për përdorimin e misvakut para namazit, parapëlqimi i miskut dhe nxitja e përdorimit të tij tregojnë për një kujdes të veçantë që ka pasur Pejgamberi a.s., ndaj anës së jashtme.
Gjithashtu, transmeton Xhabiri r.a., se një ditë erdhi i Dërguari a.s., dhe pa një njeri që flokët e tij ishin të shprishura dhe tha: “A nuk ka gjetur ai diçka që t’i rregullojë flokët e tij?” Ndërsa një tjetër kishte rrobën e tij të ndotur dhe tha: “Ai, a nuk ka gjetur ujë që ta pastrojë rrobën e tij?” (Ebu Davud, 4062).(6)
Pas gjithë këtij kujdesi që ka pasur Pejgamberi a.s., për anën e jashtme të tij dhe të shokëve të tij, nuk është për t’u habitur ajo që është transmetuar se kur një i huaj i është afruar rrethit ku qëndronte Pejgamberi a.s., me shokët e tij, nuk ka dalluar se cili është i Dërguari a.s., në mesin e tyre. Kjo, për shkak të modestisë së tij që ka pasur, përkundër pozitës së tij dhe tjetra është pikërisht kujdesi që i ka kushtuar Pejgamberi a.s., dukjes së jashtme. Ai nuk pranoi që në mesin e tyre të jetë një njeri që ka flokët e shprishura e rrobat e ndyra. E si do të ishte pedanteria e tij?!
Këto ishin vetëm disa nga shembujt e Pejgamberit a.s., sa i përket modestisë dhe pedanterisë së tij, që tregojnë se Pejgamberi a.s., aq sa i kushtoi rëndësi anës së brendshme të tij, po aq i kushtoi edhe të jashtmes apo dukjes së tij, e që për besimtarin është që ta marrë shembull atë, ashtu siç na porosit Allahu në librin e Tij: “Në tregimet e atyre (të dërguarve) ka këshilla për ata që meditojnë!” (Jusuf, 111).
__________________
1. Ahmed bin Hanbel esh Shejbanij, Musned Imam Ahmed, (Mueseseh er Risaleh, Lubnan, 2001), v20, f.23. Ka thënë shejh Shuajbi, hadithi është i vërtetë në kushtet e Muslimit.
2. Ahmed bin Hanbel esh Shejbanij, Musned Imam Ahmed, (Mueseseh er Risaleh, Lubnan, 2001), v41, f.390. Ka thënë shejh Shuajbi, hadithi është i vërtetë.
3. Ebu Abdullah ibën Maxheh, Sunen ibën Maxheh, (Dar er Risale El Ilmije, Siri, 2009), v4, f.430. Ka thënë shejh Shuajbi, hadithi është i vërtetë.
4. Muslim el Haxhaxh en Nisaburij, Sahihu Muslim, (Bejrut, Lubnan), v1, f.102.
5. Muslim el Haxhaxh en Nisaburij, Sahihu Muslim, (Bejrut, Lubnan), v1, f.93.
6. CEbu Davudi, Sunen Ebu Davud, (Dar er Risale el Ilmije, Siri, 2009), v6, f.168. Ka thënë shejh Shuajbi, hadithi është i vërtetë.
Dr. Zenel Hajdini
Dituria Islame 397
/islamgjakova