Muhamedi a.s. dhe domosdoshmëria e bartjes së misionit të tij

Prof. Driton Arifi

Hulumtimi dhe përpjekja për të gjetur udhërrëfyesin ideal për orientimin e masave do të mbeten synim i aspiruar i gjithë atyre që vetvetes ia kanë bërë mision drejtimin e masave njerëzore për në shpëtim dhe lumturi.

Nga Mr. Driton Arifi

Aspirata e tyre nuk do të shuhet asnjëherë përderisa të tillët nuk hasin njeriun që në mënyrë besnike e të sinqertë iu përkushtua këtij misioni dhe e realizoi atë në formë të përkryer qoftë edhe në një epokë të caktuar historike. Realizimi i pjesshëm i këtij misioni në ndonjë periudhë kohore mund të tërheqë vëmendjen dhe të zgjojë kureshtje vetëm te ata njerëz që posedojnë vizione dhe synime jo të kompletuara, të pjesshme, por kurrsesi të gjithëmbarshme dhe ideale. Të përkushtuarit dhe aspiruesit e synimeve ideale në këtë rrugë do të kenë mundësi të shuajnë etjen e tyre vetëm atëherë kur hulumtimi përfundon në personalitetin e të dërguarit të Allahut-Muhamedit a.s.. Ata gjejnë prehjen dhe qetësinë shpirtërore, vetëm atëherë kur mendja e tyre të bindet se Muhamedi a.s. ishte njeriu i vetëm dhe i pashembullt që misionin e tij është nder dhe krenari ta bartë e ta vijojë cilido njeri deri në vdekje. S’është e rëndësishme e as që kërkohet që ne pas shumë shekujve të ndalemi e të hulumtojmë për cilësitë dhe tiparet e tij fizike, ani pse edhe ato fuqishëm zgjojnë kureshtjen tonë të flakët në raport me të dashurin tonë. Por, mbi të gjitha do të duhej të ndaleshim e të vëmë në spikamë karakterin dhe virtytet e tij të sublimuara nga Dërguesi i tij – Allahu i Lartëmadhërishëm, si dhe mënyrat se si ai arriti të depërtoi e të pushtojë zemrat dhe mendjet e atij numri aq të madh të njerëzve, e që përmërinë e të paudhëve një gjë të tillë po vazhdon të bëjë edhe pas ndarjes së tij nga kjo botë. Ai ishte njeriu që gjurmët e hapave të tij nuk do të arrijë t’i mbulojë kurrë pluhuri, pavarësisht furtunave e erërave të fuqishme që mund të ngrihen mbi to. Furtunat e ndryshme historike kanë mundësi që të shlyejnë gjurmët e cilitdo njeri tjetër, por jo edhe të dërguarit të fundit- Muhamedit a.s..
Emri, historiografia dhe jetëpërshkrimi i tij do të mbesin deri në kataklizëm temë studimi e analize, por edhe referencë e të gjithë atyre që qoftë edhe një herë në jetë kanë menduar në përmirësimin e gjendjes së shoqërisë ku ata jetojnë. Jeta e tij prej një të dërguari të fundit nga ana e Allahut e bënë atë që t’i kalojë përmasat kohore e lokale, e bënë atë një figurë tejkohore, duke i përjetësuar fjalët dhe veprat e tij edhe pas vdekjes së tij. Nga thjeshtësia e mënyrës së jetesës së tij dhe madhështia e efektit të fjalëve e veprimeve të tij mahniteshin edhe ata që fare s’i kishin besuar atij. Ata habiteshin për faktin se si i dërguari në përditshmërinë e jetës së tij u ngjason atyre në formë tipike. Ai në të vërtetë bënte jetën e më të thjeshtit prej tyre. Mahnitjen dhe habinë e tyre e përshkruan edhe Allahu në Kuran kur thotë:” E ata thanë:“Ç’është me këtë të dërguar, i cili ha ushqim dhe ec nëpër tregje? Përse të mos i jetë dërguar një engjëll së bashku me te, e të jetë qortues?” (El Furkan, 7)
Ai ishte njëri prej tyre, bënte jetën e tyre, sprovohej nga të ligat dhe intrigat e tyre, por, megjithatë ai ishte i preokupuar dhe synonte që ta lumturonte në të dy botët secilin prej tyre. Madje ai qante hallin edhe të atyre njerëzve që do të vinin pas tij, e do të jetonin pas vdekjes së tij, për ata që kurrë në jetë nuk i kishte parë ata.

Krenaria e pasimit të hapave të tij dhe nderi i transmetimit të trashëgimisë së tij

Muhamedit a.s. Allahu i Lartëmadhëruar ia mundësoi që të jetojë për 23 vite në cilësinë prej një të dërguari, respektivisht si bartës i shpalljes së Tij dhe njëherësh, kumtues i porosive të Tij. Me gjithë faktin se gjatë kësaj periudhe Muhamedi a.s. arriti ta përmbushë misionin e tij me konsekuencë dhe besnikëri të skajshme, me të cilin e kishte ngarkuar Allahu, megjithatë ai bëri paralajmërime për gjëra madhështore që do t’iu ndodhin myslimanëve e që ai s’do të ishte dëshmitar i tyre për së gjalli. Ai në një paralajmërim të tillë patë thënë:” Kjo fe gjithsesi do të arrijë të shtrihet aty ku arrin dita dhe nata (anekënd globit). Allahu nuk do të lejë asnjë shtëpi nëpër qytete e as fshatra e (vende ta largëta) përveç që në të do ta fusë këtë fe, qoftë kjo nëpërmes krenarisë së njerëzve të denjë (autoritativ) apo edhe përkundër dëshirës dhe ultësisë së atyre që janë të ulët e të ligjë”(1)
Thotë Temim Ed-Darij-transmetuesi i këtij hadithi nga Muhamedi a.s. se e kam vërejtur këtë me sytë e mi brenda shtëpisë dhe familjes sime, sepse ai që e pranoi Islamin prej tyre gëzoi më pas të mira të ndryshme, autoritet e krenari, ndërsa ai që mbeti në kufër-mosbesim u godit më pas nga të këqijat e shumta, pastaj më vonë edhe i është ulur autoriteti i tij.(2)

Sihariqet e Muhamedit a.s.

Nga sihariqet e tij është se gjeneratat të cilat do të vijnë pas tij janë ato që Allahu do të mundësoi nëpërmes tyre përhapjen e fesë së Tij anekënd faqes së tokës. Kjo është një nder të cilin Allahu me dëshirën e Tij ua la në dispozicion gjeneratave që vijnë pas Muhamedit a.s., por në të njëjtën kohë është edhe një mesazh që përçon kërkesën tek ne si trashëgues të thesarit të çmueshëm profetik që të angazhohemi me zell në realizimin e këtij paralajmërimi fisnik. Ai pa mëdyshje do të realizohet sepse ka dalë nga goja e atij që:” … nuk flet nga mendja e tij. Ai nuk është tjetër pos shpallje që i shpallet. Atë ia mësoi Ai, fuqiforti, (Xhibrili)”. (En-Nexhm, 4), porse çështja është nëse do të jemi ne ata të cilët e kuptuam mirëfilli porosinë e tij dhe bëmë përpjekjen tonë të kërkuar që mu në kohën tonë të realizohet ai përgëzim i të dashurit tonë – Muhamedit a.s.

Muhamedi a.s. e përmbushi misionin me të cilin e kishte ngarkuar Allahu, duke e kumtuar fenë e Tij në mënyrën më të përkryer, dhe këtë ia dëshmoi Allahut dhe njerëzve në haxhin i tij lamtumirës, kur pasi e mbajti hutben e tij lamtumirëse para masës më të madhe që i kishte ndonjëherë rreth tij, pranë atyre njerëzve të cilët i kishin besuar dhe iu kishin përkushtuar me vetëmohim tëskajshëm rrugës së tij. Ai pasi kreu fjalimin e tij të gjatë ktheu kokën kah qielli dhe tha tri herë zëshëm: “O Allah a e kumtova porosinë tënde? Të pranishmit deklaruan gjithsesi o Allah dëshmojmë se ai (I dërguari) e kumtoi porosinë Tënde. Atëherë Muhamedi a.s. tha: O Zot bëhu edhe Ti dëshmitar i kësaj. Le t’ia transmetoi ai që ishte prezent atij që s’ishte prezent (këtë që e dëgjuat)”.(3)
Me fjalën e tij të fundit Muhamedi a.s. ngarkoi të pranishmit që fjalët e tij t’i kumtojnë tek të tjerët, t’i transmetojnë në formë besnike sepse vetëm në këtë formë do të realizohej paralajmërimi i tij përgëzues për përhapjen e islamit në çdo cep të tokës. Ai motivimin e tij për misionin e kumtimit e bëri edhe në shumë hadithe të tjera. Njërin prej tyre e transmeton Abdullah ibn Mes’udi r.a. ku thotë se Muhamedi a.s. ka thënë: ”Allahu ia ndriçoftë fytyrën atij njeriu që e ka dëgjuar ndonjë thënie timen, e ka mësuar dhe e ka kuptuar drejtë atë, e më pas e ka transmetuar tek të tjerët, sepse mund të ndodh që ai që posedon një dituri ta bëjë transmetimin e saj tek dikush që e kupton me thellësisht atë…”(4)
Hadithi flet qartë për fytyrëndriturit, të cilët do të jenë të tillë deri në Ditën e Gjykimit, përderisa ecin dhe trasojnë rrugën e Muhamedit a.s. Ai përshkruan ata që do ta kenë vullnetin dhe guximin që të kumtojnë porositë e tij, të ecin hapave të tij, dhe të ringjallin traditën e tij fisnike, duke mos pas frikë nga qortimet e as etiketimet e etiketuesve. Ata i përshkruan edhe Allahu i Lartëmadhërishëm në Kuranin Fisnik duke thënë: ” …dhe që nuk i frikësohen etiketimit të asnjë etiketuesi (kërcënimit të asnjë kërcënuesi). Kjo (cilësi e atij populli) është dhuratë e Allahut që i jep atij që do. Allahu është dhurues i madh, i dijshëm” (El Maide, 54).
Në të vërtetë nga etiketimet, ofendimet e kërcënimet nuk shpëtoi dhe nuk u kursye as vetë i përzgjedhuri i Allahut, Muhamedi a.s., synim i të cilave padyshim ishte shmangia e tij nga e vërteta dhe heqja dorë nga misioni me të cilin e kishte ngarkuar Allahu. Andaj, nëse njeriu me virtytet e përkryera nuk u kursye nga gjëra të tilla, apriori duhet kuptuar që të tjerët që s’janë në gradën e tij, por që synojnë pasimin e rrugës së tij do të jenë edhe më shumë të atakuar dhe domosdoshmërish të etiketuar. Në fakt, fenomenin e tillë, shumë më mirë se sa këto fjalë na e kristalizon realiteti i sotshëm të cilin e jetojnë ata myslimanë të cilët kudo që janë kanë kurajën dhe nderin të jetësojnë fjalët dhe veprat e Muhamedit a.s.. Madje, gjërave të tilla, shpesh nuk po i shpëtojnë edhe ata “myslimanë” që nga islami nuk bartin asgjë tjetër pos emrit të tij.
Përderisa shohim që shumë njerëz gjatë gjithë historisë, por edhe sot kanë guximin të trumbetojnë fuqishëm fjalët dhe porositë e “idolëve“ të tyre ideologjikë, madje edhe pasi që është vërtetuar qëmoti josaktësia e fjalëve të tilla, atëherë për ne pasuesit e rrugës së Muhamedit a.s. është nder dhe kënaqësi që t’i shërojmë problemet dhe plagët e njerëzve me fjalët dhe melhemet e tij. Kjo është oferta që Allahu obligon thirrësit islam t’ua ofrojnë njerëzimit, e më pas ata janë të lirë të zgjedhin, “E ti thuaj: “E vërteta është nga Zoti juaj, e kush të dojë, le të besojë, e kush të dojë, le të mohojë” (EL Kehf, 29).

_________________________
1) Transmeton Imam Ahmedi në “Musnedin“ e tij (Numri i hadithit 16998, f. 1034.
2) Po aty.
3) Transmeton Ebu Davudi në “Sunenin“ e tij (Numri i hadithit:2959, f. 1383, Boton Darul Fikr. Damask.
4) Transmeton Tirmidhiu në “Sunenin” e tij (Numri i hadithit: 2658, f. 345, Bot. dar Ihjaut-turath el-arabijj. Bejrut.

/islamgjakova