Presidenti i parë i zgjedhur i Egjiptit i cili më pas u largua nga detyra përmes grushtit të shtetit, Muhamed Mursi, që nga dita e diel ka pësuar dy herë alivanosje në burgun Tora në të cilin është duke qëndruar, raporton Anadolu Agency (AA).
Lajmin për AA e ka bërë të ditur djali i Mursit, Abdullah Mursi, i cili tha se të mërkurën kishin marrë pjesë së bashku me avokatin Abdulmunim Abdulmaksut në një seancë gjyqësore e cila ishte shtyrë.
Abdullah Mursi theksoi se gjendja shëndetësore e babait të tij nuk është e mirë dhe se gjykatësi nuk i ka dhënë të drejtë fjale pasi Mursi ka dashur të marrë fjalën për ta sqaruar gjendjen e tij.
“Kemi mësuar se Muhamed Mursi i ka informuar të pandehurit tjerë në kafazin e qelqit ku mbahen brenda sallës së gjykatës se pas vizitës që i është bërë ditën e dielë është alivanosur dy herë, mirëpo nuk i është dhënë asnjë intervenim mjekësor”, tha Abdullah Mursi.
Siç njoftoi ai, babai i tij ka kërkuar nga gjykatësit që t’i mundësohet kontroll shëndetësor madje duke paguar vetë shpenzimet.
Ndërkaq, avokati i Mursit, Abdulmunim Abdulmaksut, tha se pala mbrojtëse do të bëjë kërkesë në prokurori që Mursit t’i mundësohet kontrolli shëndetësor.
Qeveria e Egjiptit, pas katër vitesh të dielën lejoi që Mursin ta vizitojnë gruaja e tij Nexhla Ali Mahmud dhe vajza Shejma.