Muhamed bin Salman: Vrasësit e Khashoggit, do dalin para drejtësisë

Princi i fuqishëm i Arabisë Saudite Mohammed bin Salman u zotua të mërkurën se vrasësit e Jamal Khashoggi do të silleshin para drejtësisë, në komentet e tij të para publike, që kur vrasja e gazetarit “ndezi” zemërimin global.

Duke përdorur një ton sfidues, princi Mohammed u tha investitorëve ndërkombëtarë në një konferencë të madhe në Riad se vrasja e Khashoggit në konsullatën saudite në Stamboll nuk do të prishë rrugën e reformës së mbretërisë.

Komentet e tij erdhën disa orë pasi Presidenti i SHBA, Donald Trump u citua nga Wall Street Journal të thoshte se si sundimtari de facto i Arabisë Saudite, princi i kurorës mbante përgjegjësinë përfundimtare për operacionin që çoi në vdekjen e Khashoggi.

“Ne do t’i tregojmë botës se të dy qeveritë (saudite dhe turke) po bashkëpunojnë për të ndëshkuar çdo kriminel, çdo fajtor dhe në fund drejtësia do të mbizotërojë”, tha Princi Mohammed për të pranishmit.

Eksportuesi kryesor i naftës në botë është nën presion në rritje për vdekjen e Khashoggit, një kolumnist dhe një nga kritikët më të shquar të princit të kurorës, Muhamed bin Salman.

Kriza ka tensionuar lidhjet e Rijadit me Perëndimin dhe ka udhëhequr dhjetëra politikanë perëndimorë, bankierë të lartë botërorë dhe drejtues të kompanive, drejt bojkotit ndaj konferencës që u hap të martën në Riad.

Arabia Saudite fillimisht e mohoi çdo përfshirje në zhdukjen e Khashoggit, pasi kishte hyrë në konsullatë, por një zyrtar saudit i atribuoi përfundimisht vdekjen e tij më 2 tetor në një përpjekje të dështuar për ta kthyer atë në mbretëri. Turqia ka hedhur poshtë përpjekjet e sauditëve për të fajësuar operacionet mashtruese dhe i kërkoi mbretërisë të çonte para drejtësisë ata që ishin përgjegjës./tch