MSH-ja apel qytetarëve: Mos bini pre e recetave që po shpërndahen në rrjete sociale

Ministria e Shëndetësisë së Kosovës ka bërë apel te qytetarët që të mos bien pre e recetave që janë publikuar në rrjete sociale.

Gjatë ditës së diel shumë qytetarë nëpër rrejte sociale kanë publikuar një recetë e cila kinse shëron koronavirusin.

Duke e parë që një recetë e tillë ka marrë një hov të madh në shoqëri, ka reaguar Ministria e Shëndetësisë, shkruan lajmi.net.

Lajm i rremë: Receta që po shpërndahet kundër koronavirusit nuk është e rekomanduar nga mjekët

Përmes një njoftimi MSH-ja ka kërkuar nga qytetarët që të mos bien pre e këtyre recetave të ndryshme rreth trajtimit të koronavirusit.

“Duke qenë që “recetat” e tilla provokojnë edhe reagime të ndryshme dhe ngjallin edhe  shqetësime, ju lusim që të mos bini pre e publikimeve të tilla dhe për çfarë do shqetësimi lidhur me Covid-19 të kontaktoni mjekun tuaj më të afërt dhe të përcillni vetëm këshillat zyrtare,  të cilat publikohen nga Ministria e Shëndetësisë, IKSHPK, profesionistët kompetentë shëndetësor  dhe institucionet kredibile dhe të konfirmuara”, thuhet ndër të tjerash në njoftim.

Njoftimi i plotë i MSH-së, pa ndërhyrje:

Të nderuar qytetarë,

Jemi dëshmitarë që së fundi nëpër rrjetet sociale (jo vetën në nivel lokal) po shpërndahen me të madhe të ashtuquajtura “receta” të ndryshme për trajtimin e personave të prekur nga COVID-19.

Duke qenë që “recetat” e tilla provokojnë edhe reagime të ndryshme dhe ngjallin edhe  shqetësime, ju lusim që të mos bini pre e publikimeve të tilla dhe për çfarë do shqetësimi lidhur me Covid-19 të kontaktoni mjekun tuaj më të afërt dhe të përcillni vetëm këshillat zyrtare,  të cilat publikohen nga Ministria e Shëndetësisë, IKSHPK, profesionistët kompetentë shëndetësor  dhe institucionet kredibile dhe të konfirmuara.