MSh i dorëzon IKSHPK-së 100 mijë teste PCR, SHSKUK-së 16 ventilatorë

Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj tha sot se MSh i ka dorëzuar sot 100 000 teste PCR në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, për të forcuar kapacitetet e testimeve dhe për të vazhduar testimin në masë, pas fillimit të testimeve edhe në Qendrat Rajonale të Shëndetësisë Publike. Krahas kësaj, 16 ventilatorë, i janë dorëzuar Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës.

“Ashtu siç kemi premtuar, sot i kemi dorëzuar edhe 16 ventilatorë të tjerë Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës për të shtuar kapacitetet e trajtimit klinik të pacientëve.

Përkushtimi ynë është që mungesa e testeve të mos jetë asnjëherë temë e punës së profesionistëve tanë shëndetësor dhe përmes rritjes së kapaciteteve të lehtësohet identifikimi i kontakteve të rasteve pozitive dhe të zhvillohet gjurmimi dhe hulumtimi epidemiologjik për ta izoluar sa më shumë virusin”, tha Ministri Zemaj, sot në IKSHPK.

Testet e dorëzuara në IKSHPK dhe ventilatorët për SHSKUK-në, theksoi ai,  janë blerë nga Ministria e Shëndetësisë përmes Projektit të Shëndetësisë Kosovare (huamarrja nga Banka Botërore), ndërsa janë siguruar përmes shërbimeve të prokurimit të UNOPS-it.

“Në stoqet e IKSHPK-së ka teste të mjaftueshme PCR për detektimin e SARS-COV 2, prandaj u bëjmë sërish thirrje qytetarëve nga të gjitha regjionet që të testohen, bëri thirrje Ministri Zemaj.

Më parë, në mëngjesin e sotëm, Ministri Zemaj, qëndroi në Klinikën Infektive të QKUK-së, për të ju uruar specializantëve të Infektologjisë dhe të Radiologjisë fillimin e shkollimit specialistik, të ndarë për ta nga Ministria e Shëndetësisë.

“Armatës së ekipit të mrekullueshëm të infektologëve dhe radiologëve, sot iu shtuan edhe specializantët e rinj. Tashmë në Klinikën Infektive shkollimin specialistik janë duke e kryer 17 mjekë, ndërsa në Klinikën Radiologjike 42. Specializantët do të vazhdojnë shkollimin, ndërsa ne, bartës të përgjegjësive institucionale, na mbetet të përgëzojmë kuadrin tonë për specializim si dhe specializantët e rinj, si e ardhmja e shëndetësisë tonë, duke qenë edhe dëshmitar, edhe kontribuues të kësaj të arriture”, tha Ministri Zemaj.

Ai theksoi se shëndetësia kosovare ka dije, personel dhe vullnet për ta bërë shëndetësinë të respektueshme, jo vetëm kur krahasohet me rajonin.