MSH: Është herët për ndryshime të mëdha në masat antiCOVID, kërkohet analizë e kujdesshme para çdo vendimi

Ministria e Shëndetësisë ka nisur takimet për të diskutuar për masat antiCOVID.

Megjithëse rastet pozitive me COVID-19 kanë rënë dukshëm, nuk pritet të ketë ndryshime të mëdha në masa.

Është planifikuar që MSH të mbajë sot takim me Asociacionin e Komunave të Kosovës dhe përfaqësuesit e komunave në lidhje me masat antiCOVID.

Nga kjo ministri bëjnë të ditur për Telegrafin se është ende herët për të bërë ndryshime të mëdha në masa.

“Është e vërtetë që situata epidemiologjike këtyre ditëve është më e qetë, por është ende herët për të bërë ndryshime të mëdha në masa, duke pasuar parasysh që procesi edukativo -arsimor sapo ka filluar me kthimin fizik të nxënësve në shkolla dhe gjithashtu, gjatë kësaj kohe, ka edhe aktivitete që ndërlidhen me fushatën zgjedhore të cilat duhet monitoruar për sa i përket ndikimit që mund të kenë në situatën e përgjithshme epidemiologjike lidhur me COVID-19”, thuhet në përgjigjen e MSH-së për Telegrafin.

Tutje nga kjo ministri thonë se “kërkohet një monitorim dhe analizë e kujdesshme e situatës para marrjes së çfarëdo vendimi për ndryshim të masave”.

Ndërkaq, sa i përket mundësisë për një valë të re të COVID-19, ata thonë se janë të përgatitur për çfarëdo fluksi të pacientëve.

“Institucionet shëndetësore janë të përgatitura për ta përballuar çfarëdo fluksi të pacientëve”, thuhet në përgjigjen e tyre