Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës ka shprehur keqardhje me rastin e vdekjes së pacientëve, të diagnostikuar me Covid-19, në orët e para të mëngjesit të ditës e diele, 5 korrik 2020.
Sipas MSH-së për shkak të shtimit të numrit të vdekjeve brenda një afati të shkurtër kohor, janë ngritur dyshime lidhur me natyrën e vdekjes së këtyre pacientëve.
Tutje në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Shërbimit Spitalor, thuhet se deri në këto momente të gjithë pacientët e infektuar me Covid-19, kanë qenë të konfirmuar përmes metodës standarde të aplikushme të dignostikimit me Covid-19 dhe kanë qenë në gjendje kritike duke u trajtuar në Klinikën Infektive-QKUK.
“Me qëllim që të zbardhet çdo dyshim rreth natyrës së vdekjes së tyre, MSh dhe SHSKUK u bëjnë thirrje publikut dhe të gjithëve që të përmbahen nga konkludimet e parakoshme dhe t’u japin kohën e duhur institucioneve përgjegjëse për ta bërë analizën e shkaqeve të vdekjeve dhe të nxjerrin përfundimet meritore”.
“SHSKUK konfirmon se fluksi i pacientëve me pasqyrë të rëndë klinike nga Covid-19 është rritur ndjeshëm javët e fundit, ndërsa QKUK ka rritur kapacitetet e saja të Mjekimit Intensiv, me qëllim të trajtimit të të gjithë pacientëve të spitalizuar, pavarësisht ngarkesave të mëdha”.
“MSh dhe SHSKUK i ngushëllojnë familjarët e pacientëve që kanë humbur betejën me Covid-19”.