MSF: Ush’tria iz’raelite su’lmoi Spitalin Turk të Tubasit në Bregun Perëndimor

Organizata Mjekët pa Kufij (MSF) njoftoi se ushtarët izraelitë kanë sulmuar “Spitalin Turk të Tubasit” në qytetin Tubas në Bregun Perëndimor të pushtuar, transmeton Anadolu.

“Sipas informacionit të marrë nga ekipet tona, forcat izraelite bastisën dhe hapën zjarr në Spitalin Turk të Tubasit, me të cilin bashkëpunojmë, në qytetin palestinez në Bregun Perëndimor më 3 dhjetor. Ushtarët izraelitë ndaluan stafin, frikësuan pacientët dhe dëmtuan dhomën e urgjencës”, tha MSF-ja në një postim në X.

Organizata tha se gjatë bastisjes që ka zgjatur për një orë, janë ndaluar pesë punonjës mjekësorë dhe një person është lënduar, ndërsa personeli mjekësor në vendngjarje është kërcënuar me armë dhe i është nënshtruar marrjes agresive në pyetje.

“Pacientëve u është thënë të qëndronin të qetë ose do të qëlloheshin për vdekje”, thuhet në postim.

Duke theksuar se ky ishte një nga sulmet e shumta ndaj shërbimeve të kujdesit shëndetësor në Bregun Perëndimor në muajt e fundit, MSF-ja bëri thirrje për mbrojtjen dhe respektimin e objekteve mjekësore, stafit dhe pacientëve.

Karine Robert, zëvendësshefja e Misionit të MSF-së në Palestinë, ka thënë se “Ky sulm i dhunshëm është i papranueshëm dhe tronditës”.