Me emrin e Allahut, Mëshirëbërësit, Mëshirëplotë
A e dini ku janë cekur apo paralajmëruar shenjat e jetëgjatësisë apo vdekjes së Resulullahit s.a.v.s. në Kuranin fisnik?
Natyrisht në tri ajete kuranore, në të cilat është cekur fjala (neteveffejenneke) – ( do të ta marrim shpirtin- ose do të të vdesim ty) , e cila i drejtohet ekskluzivisht të Dërguarit a.s..
Por a thua çfarë lidhje ka kjo me jetëgjatësinë e të Dërguarit a.s. dhe historikun e vdekjes së tij.?
Ne të gjithë e dimë se kur i Dërguari a.s. ndërroi jetë kishte saktësisht 63 vjet, apo jo?
Po ashtu e dimë se jeta e të Dërguarit a.s. ndahet në tri etapa të bekuara kohore:
Ai qëndroi në Medinë 10 vjet (pas hixhretit e deri ne vdekje);
Më parë kishte kaluar 13 vjet të jetës së tij në Mekë, duke thirrur mekasit në besimin e drejtë,
Ndërsa para kësaj kohe kishte kaluar 40 vite të jetës së tij, d.t.th. koha para se t’i vinte meleku Xhibril me shpalljen e pesë ajeteve të para të sures “El-Alek”
Të gjitha këto etapa të bekuara kohore bëjnë: (10+13+40=63)
Tash shtrohet pyetja: A mund t’i gjejmë saktësisht këta numra apo këto shifra numerike që flasin për vdekjen e të Dërguarit të Allahut me këtë radhitje : (10-13-40)?
Natyrisht se këtu qëndron mrekullia kuranore e radhitjes së sureve në Mus’haf. Kjo vërtetohet nga ajetet dhe suret të cilat do t’i përmendim në vazhdim, më saktësisht nëpërmjet fjalës: (neteveffejenneke) – ( do ta marrim shpirtin- ose do të të vdesim ty)
Le t’i shkruajmë këto ajete së pari:
1- “Edhe nëse Ne ta mundësojmë ty të shohësh diçka nga (dënimi)) që ua kemi premtuar atyre, ose ta marrim shpirtin ty (para se t’i dënojmë), ata sërish te Ne do të kthehen dhe Allahu është dëshmues i asaj që punojnë.”. – (Junus 46)
2- “Edhe nëse Ne ta mundësojmë ty të shohësh diçka nga (dënimi)) që ua kemi premtuar atyre, ose ta marrim shpirtin ty (para se t’i dënojmë), obligim yti është vetëm kumtimi, kurse e Jona është llogaria” – (Er-Rra’d, 40)
3- “Ti pra, bëhu i durueshëm, se premtimi i Allahut është i vërtetë (do të përmbushet). E nëse Ne ta mundësojmë ty të shohësh diçka nga (dënimi)) që ua kemi premtuar atyre, ose ta marrim shpirtin ty (para se t’i dënojmë), ata te Ne do të kthehen gjithsesi – (Gafir, 77)
Allahu xh.sh. I ka vendosur këto tri ajete në tri sure, që për ne mund të konsiderohen krejt të rastësishme, por kur ndalemi dhe i analizojmë më detajisht, shohim se këto ajete dhe këto sure në vete mbajnë një urtësi dhe në të njëjtën kohe mrekulli kuranore.
1. Surja JUNUS, në të cilën për herë të parë e hasim fjalën (Neteveffejenneke) është surja e dhjetë (10) në radhitjen e Mus’hafit dhe përputhet plotësisht me periudhën e jetës së Pejgamberit tonë në Medinë.
2. Surja ER-RRA’D, është surja e trembëdhjetë (13) në radhitjen e Mus’hafit dhe përputhet plotësisht me periudhën e jetës së Pejgamberit tonë në Mekë.
3. Surja GAFIR, është surja e katërdhjetë (40) në radhitjen e Mus’hafit dhe përputhet plotësisht me periudhën e jetës së Pejgamberit para Shpalljes
Pra po t’i mbledhim numrat rendor të këtyre sureve në radhitjen në Mus’haf, shohim se:
10 + 13+ 40 = 63 që përputhet plotësisht me jetëgjatësinë e Pejgamberit a.s.
***
A thua ka mundësi që ndonjë njeri t’i referohet fjalës (neteveffejenneke) – ( do ta marrim shpirtin- ose do të të vdesim ty), e pastaj t’i radhisë këto fjalë në tri sure, në mënyrë që radhitja e sureve të përputhet plotësisht me jetëgjatësinë e të Dërguarit të Allahut në këto tri etapa të bekuara të jetës profetike?
A thua ka mundësi që dikush prej njerëzve të flasë për kohën e vdekjes së Resulullahit s.a.v.s. përveç Allahut të Gjithëdijshëm?
A nuk mjafton ky referim kuranor që të bindemi se ky i Dërguar i Allahut, të cilit i vinte Shpallja nga qielli, është i sinqertë në Thirrjen e tij për të besuar Allahun një, të vetëm e të pashoq, dhe përcjellës besnik i Fjalës së Allahut tek Ne?.
Për fund, pyetja hyjnore drejtuar të gjithë atyre që dyshojnë në saktësinë e Kuranit famëlartë, nëse ai është Fjalë e Allahut apo jo, le ta analizojnë njëherë këtë ajet kuranor:
“A mos vallë kjo është ndonjë magji, apo nuk po shihni. – (Et-Tur, 15).
Nga Sabri ef.Bajgora
/islamgjakova