Pas 15 vite heshtje, Kuvendi i Kosovës në mars të vitit 2014 ka miratuar ligjin që mbron gratë e dhunuara gjatë luftës, viktimat civile dhe familjet e tyre.
Ky ligj përfshin edhe statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pro këtij ligji ishin 69 deputetë, 9 u deklaruan kundër dhe vetëm 1 deputet abstenoi.
Kurse debati më i ashpër në Kuvend ishte zhvilluar për futjen ose jo në ligj edhe të grave të dhunuara seksualisht gjatë luftës. Një pjesë e deputetëve kërkonin që për gratë e dhunuara të përpilohet jnë ligj i veçantë, kurse pas shumë diskutimesh, me shumicë votash u vendos që gratë e dhunuara seksualisht gjatë luftës të futen nën mbrojtje ligjore, transmeton Indeksonline.
Ndërsa tash më shumë se një vit nga miratimi i ligjit Qeveria e Kosovës ka aprovuar një rregullore për ndryshimin dhe plotësimin e procedurave për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave.
Sekretari i Përgjithshëm në Ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale Izedin Bytyqi ka thënë për Indesonline se MPMS është në fazën e themelimit të një Komisioni për njohjen dhe verifikimin e viktimave.
“MPMS, tani është ne fazën e themelimit te Komisionit për njohjen dhe verifikimin e statusit te këtyre viktimave dhe themelimit dhe funksionalizimit te Sekretariatit te këtij komisioni”, ka thënë Bytyqi.
Gjithashtu sipas tij pas funksionalizimit të plotë të këtyre mekanizmave do të fillohet edhe me pranimin e aplikacioneve.
“Pas funksionalizimit te plote te këtyre dy mekanizmave do te fillohet me pranimin e aplikacioneve, pastaj shqyrtimin e tyre nga Komisioni dhe pastaj shpërndarjen e benifiteve te përfituesve te kësaj kategorie”,ka theksuar Bytyqi.
Duke folur për ndarjen e mjeteve ai ka thënë se shuma e ndarë prej 25 milionë eurove është duke shërbyer për pagesat e pensioneve të veteranëve.
“Sa i përket shumës se ndare prej 25 milion eurove me këto mjete janë duke u paguar pagesat e pensioneve te veteraneve”, ka përfunduar Bytyqi.