MPJ-ja jep detaje për kosovarët që gjendeshin në zonat e rrezikut në Turqi

Ministria e Punëve të Jashtme ka njoftuar për gjendjen e qytetarëve të Kosovës të cilët në kohën e tërmetit kanë qenë në Turqi.

Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara, fillimisht ka arritur informata se një familje nga Kosova gjendej në qytetin Gaziantep. Gjendja e tyre shëndetësore është e mirë.

“Në bisedë me Ambasadën e Kosovës, ata kanë treguar se shtëpia ku kanë banuar është dëmtuar, dhe se gjatë ditës autoritetet vendore i kanë evakuuar ata në një sallë sportive.

Në një bisedë të dytë më kryefamiljarin, ambasada u njoftua se ata tashmë kanë blerë bileta të autobusit për udhëtim nga qyteti i Gaziantepit për në Kosovë”, ka thënë ministria për KOHËN.

Po ashtu, ministria ka njoftuar edhe për ekipin e mundjes i cili ka qenë në Kahramanmaras ditën kur ndodhi tërmeti, dhe që e gjithë skuadra ka shpëtuar pa pasoja.

vetiniciativë, nga qyteti Kahramanmarash ata kanë udhëtuar në qytetin Kajseri duke u larguar nga zona e prekur nga tërmeti. Në mbrëmjen e vonë të datës 6 shkurt, ata kanë udhëtuar me autobus për në Stamboll, për të parë që aty mundësitë e vazhdimit të kthimit në Kosovë”.

Një tjetër qytetare e Kosovës e cila ka qenë në Kahramanmaras ka shpëtuar dhe është kthyer në Gjermani, aty ku jeton dhe vepron.

Ndërsa të martën (7 shkurt) në numrat emergjent që Ambasada dhe Konsullata e Kosovës në Turqi, kanë vendosur në dispozicion për qytetarët, janë kontaktuar nga një nënë që bashkë me vajzën e saj 4 vjeçare duan të kthehen në Kosovë, por që dokumentet e udhëtimit i kanë humbur nën rrënoja.

Ambasada e Kosovës në Ankara është në kontakt me shtetasen në fjalë, e cila ka theksuar se është mirë me shëndet, dhe në bashkërendim me Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Stamboll është përgatitur dokumentacioni i nevojshëm për fletudhëtime për të dhe vajzën e saj, ka thënë tutje ministria.

“Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara dhe Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Stamboll, mbesin në komunikim me shtetasen në fjalë, për të parë opsionet e udhëtimit të saj për Stamboll dhe më pastaj për në Kosovë”.

Në mbrëmjen e datës 7 shkurt Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara është kontaktuar në numrin emergjent nga një shtetas kosovar. Tërmeti e kishte zënë në qytetin Gaziantep, e pastaj ishte larguar nga aty në qytetin Adiyaman që gjithashtu është goditur nga tërmeti me qëllim që nga aty të udhëtojë për Stamboll. Në mëngjesin e datës 8 shkurt, ka arritur që me një aeroplan transportues ushtarak të udhëtoj në Stamboll. Me datë 8 shkurt nga Stambolli ka udhëtuar për Prishtinë me fluturim të rregullt.

Në mëngjesin e datës 8 shkurt Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara ka kontaktuar me familjarët e një shtetasi tjetër që jeton dhe punon në Gaziantep, që ai dhe familja e tij kanë shpëtuar pa lëndime, dhe se me veturën e tyre janë nisur për në Ankara.

Po ashtu mbrëmë (8 shkurt), një shtetase e Kosovës ka arritur me aeroplan nga qyteti i Gaziantep në Ankara, ku ekipi i ambasadës ka dal në aeroport që ta pres dhe ia ka siguruar akomodimin në një hotel.

Ndërsa referuar informacioneve të pranuara nga Bashkësia e Studentëve të Kosovës në Turqi (TOKOB), nuk ka studentë nga Kosova që studiojnë në zonën e prekur nga tërmeti.

Republika e Kosovës, përmes Ministrisë së Mbrojtjes ka dërguar kontingjentin e parë në operacionin e kërkim-shpëtimit në zonat e prekura nga tërmeti në Turqi, ndërsa presidentja Vjosa Osmani, në shenjë respekti shtetëror dhe qytetar ka shpallur ditën e mërkurë (8 shkurt 2023), ditë zie.