MPJ fton qytetarët e Kosovës të shmangin qarkullimin nëpër Serbi

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka sugjeruar qytetarët e Kosovës që të shmangin qarkullimin nëpër Serbi, e nëse nuk munden ta bëjnë këtë, të shfaqin kujdes dhe maturi gjatë qarkullimit atje.

Përmes një komunikate për media, kjo ministri ka thënë se vlerëson se Serbia nuk është më territor që ofron as siguri minimale për integritetin fizik dhe juridik të qytetarëve.

Për rrjedhojë, kjo ministri ka sugjeruar që të evitohet përkohësisht qarkullimi përmes këtij vendi.

“Duke ri-kujtuar komunikatën e 31 majit 2019, njoftojmë qytetarët e Republikës së Kosovës, me vendbanim në Kosovë apo jashtë vendit, që të shfaqin kujdes dhe maturi në rast se nuk mund të shmangin qarkullimin nëpër territorin e Serbisë. Në përputhje me obligimin institucional dhe ligjor për të informuar publikun dhe për tu kujdesur për sigurinë dhe integritetin e secilit qytetar të Kosovës, Ministria e Punëve të Jashtme vlerëson se Serbia nuk është më një territor i cili ofron as siguri minimale për integritetin e tyre fizik dhe juridik, dhe as për familjarët e tyre. Për rrjedhojë, sugjerohet evitimi i përkohshëm i qarkullimit përmes këtij vendi”, thuhet në njoftim.

Në njoftimin e MPJ-së së Kosovës thuhet se ky reagim vjen si rezultat i arrestimeve të vazhdueshme të qytetarëve të Kosovës në Serbi.

Bazuar në arrestimet e qytetarëve, MPJ ka thënë se ka evidencë të mjaftueshme të konstatohet se Serbia po vepron në kundërshtim me praktikën e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe po shkel obligimet që dalin nga marrëveshjet e Brukselit.

“Qytetarë të dashur, dëshirojmë të kemi vëmendjen tuaj, pasi që ky njoftim vie si rezultat i arrestimeve të vazhdueshme të qytetarëve të Republikës së Kosovës nga ana e institucioneve të këtij vendi, gjithmonë në rrethana fiktive. Një numër i tyre madje edhe janë keqtrajtuar fizikisht dhe psikologjikisht. Bazuar në këto zhvillime, Ministria e Punëve të Jashtme ka bazë dhe evidencë të mjaftueshme të konstatoj që ndaj të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, Serbia, pa përjashtim, për qëllime politike dhe qëllime tjera jo demokratike, në kundërshtim me praktikën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar dhe me të drejtën ndërkombëtare dhe atë evropiane, si dhe në kundërshtim më obligimet që dalin nga marrëveshjet e Brukselit, jashtëligjshëm, mund t’ju ndaloj arbitrarisht kalimin në territorin e saj. Ministria e Punëve të Jashtme dhe të gjitha institucionet e vendit i kanë ftuar dhe vazhdojnë t’i ftojnë institucionet e Bashkimit Evropian, dhe jo vetëm, që të korrigjojnë këtë sjellje agresive të Serbisë, por që fatkeqësisht deri më tani kjo nuk ka pasur asnjë efekt. Ndryshe nga këto praktika primitive të Serbisë, Republika e Kosovës vepron në formë të matur, të civilizuar dhe demokratike, dhe për dallim, nuk i trajton qytetarët e Serbisë në forma jo ligjore dhe jo demokratike, për aq kohë sa ata nuk janë të lidhur me krimin, dhe i respektojnë ligjet e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

MPJ e Kosovës ka ftuar Serbinë që të heqë dorë nga “praktikat fashiste, dhe të pranojë faktin që është pjesë e kontinentit evropian, ku liria e lëvizjes është e drejtë universale e secilit, dhe respektohet pavarësisht agjendave politike”.