MPBAP: Sveçla nuk u sulmua, tentoi të ndalte një rrahje mes dy të tjerëve

Ka reaguar MPBAP, pas raportimeve se zëvendësministri, Xhelal Sveçla është sulmuar nga një qytetar.

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike (MPBAP), ka reaguar edhe zyrtarisht pas raportimeve për përfshirjen e zëvendësministrit Xhelal Sveçla në një incident në një prej lokaleve në kryeqytet.

Përmes një njoftimi për medie, MPBAP, ka bërë të ditur Sveçla ka qenë prezent në një zënkë dhe se ka ndërhyrë që të ndalë rrahjen dhe më pas ka njoftuar Policinë e Kosovës, për të raportuar për këtë incident, shkruan lajmi.net.

Për këtë reagim të Sveçlës, MPBAP, ka thënë se ky paraqet një rast shembullor.

Njoftimi i plotë i MPBAP-së, pa ndërhyrje:

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike njofton opinion se zëvendësministri i parë Xhelal Sveçla nuk është sulmuar, sikurse kanë raportuar një pjesë e mediave, duke kërkuar që para se të raportohet të merret konfirmimi nga institucioni ose personalisht nga zëvendësministri.

Me këtë rast MPBAP, sqaron se gjatë rrahjes së një fëmije, shitës ambulant nga një i rritur në Prishtinë, ka qenë prezent edhe zëvendësministri Sveçla, i cili ka ndërhyrë që të ndalë rrahjen dhe më pas ka njoftuar Policinë e Kosovës, për të raportuar për këtë incident.

Zëvendësministri Sveçla dhe secili qytetar i Kosovës, e kanë për obligim qytetar, që çfarëdo dukuri negative që shohin, të ndikojnë që ajo të parandalohet dhe të njoftohen organet e rendit dhe ligjit për të vepruar sipas mandatit të tyre.

Reagimi i sotëm i zëvendësministrit Sveçla në këtë rast , është një rast shembullor i sjelljes qytetare për të parandaluar rrahjen.