Mourinho një hap larg kthimit në Angli

Jose Mourinho nuk do të mbetet gjatë pa punë, pasi pritet të rikthehet në Premier League. Një ditë pas shkarkimit nga Roma, bëhet e ditur se Mourinho sipas të gjitha gjasave do të emërohet trajner i Newcastle Unitedit.

“Sky Sports” shkruan të mërkurën se krerët e ekipit anglez gjatë kësaj jave do t’i nisin negociatat me Mourinhon për ta zëvendësuar trajnerin aktual Eddie Howe, i cili pritet të shkarkohet për shkak të rezultateve të dobëta.

Mourinho kishte kontratë deri në fund të këtij edicioni me Romën, por u shkarkua për shkak se drejtuesit e klubit nuk ishin të kënaqur me rezultatet. Ai ishte në krye të Romës prej vitit 2021, ndërsa në Angli ka punuar te Chelsea, Manchester Unitedi dhe Tottenhami. Madje, me skuadrën e Chelseat dhe Unitedit ka fituar trofe.