Temperaturat e larta që kanë prekur vendin tonë ditët e fundit përbëjnë një rrezik të veçantë tek personat me probleme shëndetësore, të moshuarit por edhe tek fëmijët.
Mjeku Pediatër shqiptar Bektash Mandi thotë për Ora News se duhet të tregohet shumë kujdes tek fëmijët e veçanërisht tek ata të sapolindurit nga mosha 0 deri në 6 muaj të cilët nuk duhet të ekspozohen në mënyrë më absolute në diell në këto temperatura.
Por edhe fëmijët pak më të rritur duhet të shmangin orarin 10:00 deri në orën 17:00 të pasdites kur janë dhe rrezet më të rrezikshme.
Mandi: Një i porsalindur nuk duhet të ekspozohet pothuajse fare në diell. Dalja duhet të jetë me karrocë, ose në dorë sipas zgjedhjes së tyre, duhet të jetë i veshur. Melanina që kemi ne në lëkurë është në sasi të vogël dhe fëmija në këtë moshë nuk mund ta përballojë. Duhet shmangur dalja në orët e pikur nga ora 10:00 deri në orën 17:00
Një kujdes i veçantë sipas mjekëve i duhet kushtuar edhe ushqimit ku rekomandohet të konsumohen sa më shumë fruta, perime dhe mbi të gjitha uji pasi si pasojë e humbje së lëngjeve mund të ndodhi edhe dehidratimi e trupit .
Mandi: Frutat dhe perimet duhet të jenë baza. Duhet të shmangim ushqimet me yndyrë, ëmbëlsirat, pijet me sheqer, pijet me gaz. Të gjitha këto janë faktor që e rëndojnë situatën. Një ujë natyral është i mrekullueshëm.
Nëse këto probleme nuk trajtohen në kohë, atëherë ekziston mundësia që të bëhen burim sëmundjesh të tjera me pasoja të rënda shëndetësore për fëmijët e vegjël. Një kujdes edhe më i veçantë duhet për fëmijët më sëmundje kronike si asma apo diabeti.