I nxehti ekstrem që ka përfshirë kryesisht Europën jugore vazhdon të përvëlojë një pjesë të kontinentit. Spanja mban rekordin e kësaj vere në Europë me temperatura që kanë arritur në 44 gradë celsius, por edhe Italia, jugu i Francës, Rumania, nuk po ja kalojnë më mirë.
Madje në Itali, ditët e nxehta që duket se nuk kanë të mbaruar, i kanë kushtuar shtrenjtë akullnajave në Alpe dhe resortet turistike që ofrojnë ski në verë, kanë mbyllur dyert për shkak të kushteve në përkeqësim.
Autoritetet lokale në shumë zona të Europës Jugore thonë se këtë vit numrat e njerëzve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të vapës janë rritur ndjeshëm me Italinë dhe Rumaninë që kanë shënuar edhe viktima.
Të nxehtit nuk mund t’i shpëtonte edhe Ballkani, ku si rrallë herë në listë ka hyrë edhe Kosova, e cila me thuajse 39 gradë celsius ka shënuar edhe temperatura më të larta në vend prej të paktën 10 vitesh. Në vende të tjetra si Kroacia, Greqia apo Mali i Zi, autoritetet kanë paralajmëruar njerëzit që të tregohen të kujdesshëm dhe të shmangin sidomos orët e mesditës, për shkaka të temperaturave të larta.
Meteorologët ndërkohë, nuk kanë lajme të mira për sa i takon të nxehtit, pasi temperaturat e larta pritet që të vazhdojnë edhe për disa ditë gjatë kësaj jave, me ulje të shumë pritura në fundjavë.