Vala e të ftohtit e shoqëruar me reshje të borës që ditëve të fundit ka goditur rajonin e Ballkanit, përfshirë edhe Maqedoninë, ka shkaktuar vështirësi të shumta për të pastrehët duke vënë në rrezik edhe jetën e tyre.
Temperaturat e ulëta ekstreme që arrijnë edhe në më shumë se minus 20 gradë, edhe më tepër e vështirësojnë jetën tashmë të vështirë të të pastrehëve. Të prekur nga kjo gjendje, ata kërkojnë mënyra të ndryshme për të gjetur kulm mbi kokë të paktën për t’u ngrohur, qoftë edhe vetëm për një natë.
Punkti i të pastrehëve i Kryqit të Kuq në Momin Potok të Shkupit, është një vend që kujdeset për të pastrehët dhe u sigurohen kushtet themelore të jetesës.
Koordinatorja e këtij punkti të të pastrehëve, Dragana Llazarovska, duke folur për Anadolu Agency (AA), thotë se ky punkt ekziston tashmë tetë vite, ndërsa atje ekipi i Kryqit të Kuq kujdeset për këtë dukuri socio-patologjike për t’i kthyer këta njerëz në rrjedhat e shëndetshme sociale. Siç thekson ajo, veçanërisht në kushtet e dimrit, ata përpiqen që t’u plotësojnë nevojat atyre që kanë më shumë nevojë për ndihmë – të të pastrehëve.
Ndryshe nga viti i kaluar, thekson Llazarovska, për shkak të temperaturave të ulëta, këtë vit ka shumë më tepër persona të pastrehë të cilët janë të akomoduar në pjesën stacionare. Kapaciteti i akomodimit është 16 shtretër, por nëse shfaqet numër më i madh i të pastrehëve atëherë adaptohemi me hapësirën e personave në detyrë dhe numri i shtretërve mund të arrijë deri në 20.
“Në baza ditore të njëjtit persona që përdorin hapësirën gjatë natës, qëndrojnë edhe gjatë ditës pasi që ne kemi ekipe 24 orë. Gjithashtu, kemi edhe ekipe mobile të cilët gjatë gjithë periudhës dimërore patrullojnë për të gjetur të pastrehë”, shpjegon Llazarovska për AA.
Një nga personat që ka dëgjuar për punktin e të pastrehëve në Momin Potok është edhe 21 vjeçari Ekrem Muminoviq, i cili që nga dita e djeshme është strehuar në këtë punkt ku ka vend për të fjetur dhe një sasi të mjaftueshme të ushqimit për të mbijetuar.
“Është ngrohtë, kemi ushqim dhe veshmbathje. Unë jetoja në një ndërtesë të braktisur. Isha në një shtëpi pa prindër nga ku dhe u largova”, shprehet Muminoviq.
Muminoviq shpreson se në të ardhmen do të arrijë sukses për veten e tij që të sigurojë një jetë më të mirë. Ai frikësohet se moti i ftohtë mund ta vendos në rrezik jetën e tij, por aktualisht ndihet i sigurt në punktin e të pastrehëve.
Në stacionin e të pastrehëve së bashku me të riun Ekrem është edhe 67 vjeçari Mile Mihajllovski nga Shkupi. Ai thotë se “disa njerëz të mirë” e kanë vërejtur se ndodhet në një situatë shumë të vështirë, shumë i sëmurë, i dobët ndaj motit të ftohtë dhe e kanë sjellë në punktin e të pastrehëve në Momin Potok.
“Dhjetë vite jetoj në Tregun e gjelbër në garazhe nëntokësore. Dhjetë vite isha atje. Unë nuk kam kurrfarë kushte për jetesë”, thotë Mihajllovski.
Ai thekson se në ditët e verës edhe pse është vështirë, megjithatë më lehtë mbijeton jashtë, mirëpo gjatë periudhës së dimrit moti i acartë është i padurueshëm, sidomos për personat më të vjetër dhe të sëmurë.
Ky person 67 vjeçar, dikur ka punuar punë të ndryshme fizike dhe ka vetëm, siç tha ai, 6-7 vite marrëdhënie pune të paraqitura, me të cilat nuk ka të drejtë për pension. I vetëdijshëm për situatën tejet të vështirë në të cilët ndodhet, ai beson se institucionet dhe të njohurit e tij do ta ndihmojmë që të ketë një jetë më të mirë.
Në Punktin e të pastrehëve ka një ekip multi-disiplinar i përbërë nga një mjek, katër amvise që kujdesen për ushqim, veshje dhe nevoja të tjera, një punonjës social që të pastrehëve u jep shërbimet që u nevojiten për të ushtruar të drejtat e sistemit të mbrojtjes sociale, të tilla si gjetjen e zgjidhjeve për punësim si dhe një psikolog që punon me ta për t’i kthyer në tendenca të shëndetshme sociale.
Përmes punktit të të pastrehëve, përdoruesit çdo dimër marrin rroba të ngrohta, këpucë, batanije dhe çanta gjumi.
Sipas të dhënave të Kryqit të Kuq nga punkti në Momin Potok, në tërë territorin e Qytetit të Shkupit ka 318 persona të pastrehë, por megjithatë vlerësimet e tyre janë se kjo shifër është shumë më e lartë.