Ballina Lajmet Mot i lig në Shqipëri, kërkohet mbyllja e shkollave

Mot i lig në Shqipëri, kërkohet mbyllja e shkollave

Pas reshjeve përgjatë ditës së djeshme dhe në orët e para të mëngjesit të sotëm, në disa rrethe të vendit ka pasur probleme ku si pasojë disa zona janë përmbytur.

Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave ka kërkuar pezullimin e mësimit në sistemin parashkollor dhe shkollor në të gjithë vendin.

Gjithashtu MPB-ja ka njoftuar se deri në orën 10:30 të ditës së sotme, situata është si më poshtë:

Qarku Shkodër

Rreth 200 hektarë tokë gjenden nën ujë në Njësinë Administrative Bushat, në zonën e Urës së Dedë Gjon Lulit. Rruga nacionale nuk ka pasur probleme, ndërkohë që uji i është afruar Harkut të Bërdicës. Ndërkohë që lumenjtë Buna dhe Drini janë afër kuotave maksimale.

Përmbytja nuk është shkaktuar si pasojë e reshjeve në atë zonë, por e prurjeve. Deri tani nuk ka shtëpi apo biznese të përmbytura. Hidrovoret dhe kanalet kulluese janë në funksionim të plotë, mjetet e mundshme janë në gatishmëri, ndërkohë që situata po monitorohet nga strukturat e Ministrisë së Bujqësisë.

Qarku Lezhë

Nga informimet që vijnë nga terreni, situata e reshjeve dhe përmbytjeve në Qarkun Lezhë është si më poshtë:

Në Zadrime kane rënë 64 mm shi, në Lezhë 52 mm shi, Bregun e Matit 60 mm shi dhe në Kurbin rreth 90 mm. Lumi Drin, në territorin e Zadrimës është në kuotë 1.50 nga 2.2 që është pika kritike.

Në Balldre, te Hidrovori, kuata e kanalit kryesor është -2.15, nga -1.5 që është pika kritike. Në Tale, kuata është -1.8, nga -1 që është pika kritike.

Në Shllinza, kuota -1.5 nga -1 që është pika kritike dhe Droje të Kurbinit, kuota -0.7, nga -0.5 që është pika kritike.

Deri në këto momente nuk ka probleme me kanalet e ujërave te larta dhe aktualisht ka rreth 130 ha nën ujë, në Bregun e Matit (Spiten, Markatomaj, Tresh rreth 70 ha dhe Tale rreth 60 ha.

Në Barbullojë rreth 50 ha, Balldre-Torovicë rreth 400 ha, Zadrimë (Baqel) rreth 50 ha. Probleme ka në Gjormë dhe Zheje të Bashkisë Kurbin, ku ka përmbytje edhe të shtëpive, për shkak të shkarkimit të rezervuarit që administrohet nga Bashkia, si dhe te reshjeve të shumta që kanë rënë.

Në zonën Fushë-Kuqe ka rreth 90 ha tokë nën ujë. Gjatë natës ka patur ndërprerje të shkurtra të energjisë elektrike, në orën 02 dhe 05 të mëngjesit, përkatësisht 5 minuta dhe 20 minuta.

Të gjithë specialistët e strukturave të Drejtorisë së Bujqësisë ndodhen në terren.

Qarku Gjirokastër

Në Qarkun Gjirokastër, si pasojë e reshjeve të dy ditëve të fundit, janë të përmbytura rreth 130 hektarë tokë. Nga këto, 120 në Njësinë Administrative Gjirokastër. 30 hektarë në Lazarat, 30 hektarë në Antigone dhe fshatin Arshi Lengo, 60 hektarë në Lunxhëri (zona Topullaraj-Valare) dhe 10 hektarë në Libohovë.

Në rrethet Tepelenë dhe Përmet nuk ka pasur probleme, ndërkohë që reshjet e shiut janë ndërprerë.

Të gjitha strukturat ndodhen në gatishmëri, ndërsa nuk ka të përmbytura banesa apo objekte të tjera.

Ministria e Bujqësisë ka në gatishmëri të gjitha strukturat në qarqe, Drejtoritë e Bujqësisë, Bordet e Kullimit, ndërkohë që hidrovoret janë në funksion të plotë, ndërsa kanalet kulluese janë në gjendje pune.

Exit mobile version