Porti i Durrësit dhe Vlorës janë përfshirë nga moti i keq këtë mëngjes. Era e fortë ka sjellë pezullimin e lundrimit deri të dielën. Në Vlorë tragetet janë me vonesë, ndërsa në Durrës kanë mbërritur në orar. Era e fortë që ka përfshirë Gjirin e Durrësit ka mbajtur mbërthyer në kalatat e portit detar të gjitha anijet e tonazhit të vogël e të mesëm.
Edhe anijet e peshkimit kanë pezulluar lundrimet dhe gjuetinë në det deri të dielën, kur era, që aktualisht regjistron shpejtësinë mbi 20 metra/sek në port, pritet të ndryshojë drejtim e të kthehet drejt veriut.
Kapiteneria ka lajmëruar të gjithë subjektet dhe ekuipazhet e anijeve të forcojnë masat e sigurisë për të shmangur incidentet e mundshme në këto kushte. Megjithëse deti shënon forcën 8 ballë, të tre tragetet e linjës Bari-Durrës me 1100 udhëtarë në bord mbërritën në mëngjes pa vonesa.
Teksa viti 2017 ka nisur numërimin mbrapsht, agjencitë e lundrimit po përgatiten të shtojnë lëvizjet me tragete në dy anët e Adriatikut, për t’iu përgjigjur rritjes së numrit të udhëtarëve dhe automjeteve në prag të festave të fundvitit.
Si çdo fundviti, edhe në këtë sezon parashikohet një rritje e ndjeshme e numrit të bashkatdhetarëve që preferojnë të udhëtojnë me tragete drejt Portit të Durrësit, për t’iu drejtuar më pas familjeve të tyre në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni.
Moti i keq ka përfshirë edhe qytetin e Vlorës. Që prej mbrëmjes së djeshme dhe në orët e paradites erërat e fuqishme kanë bërë që transporti detar të pezullojë lundrimin.
Trageti i linjës Vlorë-Brindizi, i cili duhet të kishte mbërritur gjatë orëve të paradites në Portin e Vlorës për shkak të erës së fortë që kishte një shpejtësi prej 15-20 m/sek, nuk ka mbërritur, ndërkohë që deti shënon forcën 7 ballë.
Kjo ka bërë që edhe mjetet e tjera lundruese të mos dalin në det për të shmangur rrezikun. Sipas kapitenerisë së Portit të Vlorës, moti do jetë në këto kushte deri në orët e mesditës, kur parashikohet të mbërrijë edhe trageti nga Brindizi.