Kosova dhe Turqia kanë marrëdhënie të mira ekonomike dhe tregtare, por sipas zyrtarëve të kësaj çështjeje kjo marrëdhënie mund të jetë edhe më e avancuar me ratifikimin e Marrëveshjes për Tregti të Lirë. Kjo marrëveshje e cila është arritur vite më parë, përkundër ratifikimit të saj nga pala turke, ende nuk është ratifikuar nga pala kosovare.
Në një deklaratë për Anadolu Agency (AA) zv/ministri i Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Avni Kastrati tha se marrëdhëniet tregtare mes Kosovës dhe Turqisë mund të jenë shumë më të mira, duke u bazuar në miqësinë dhe bashkëpunimin e ndërsjellë në mes të këtyre shteteve. Ai bëri të ditur se me Turqinë po bashkëpunohet në mënyrë të suksesshme në fusha të shumta, sidomos në atë të ndërtimit të objekteve kapitale dhe të investimeve financiare, si hapja e bankave dhe e kompanive turke me renome në Kosovë, siç janë Bechtel-ENKA, KEDS-i dhe Aeroporti.
Zv/ministri Kastrati shprehu bindjen se tani me aprovimin e Ligjit për Investime Strategjike dhe me marrëveshjen për Tregti të Lirë, e cila sipas tij, brenda ditëve të ardhshme pritet të përcillet në Kuvend, do të rritet edhe numri i investimeve nga bizneset turke në Kosovë. Kurse shtyrja dhe mosratifikimi i deritanishëm i marrëveshjes për Tregti të Lirë, sipas zv/ministrit ka të bëjë me problemet e kohëve të fundit në mes të pozitës dhe opozitës dhe klimës jo të mirë të bashkëpunimit mes këtyre subjekteve politike.
“Mendoj se për një kohë të shkurtë do të vjen në Parlament, dhe do të aprovohet. Ajo marrëveshje parasheh tregtinë e lirë në mes të dy shteteve, por jo si lirim të menjëhershëm, por në periudhë deri në 10 vite. Prandaj unë mendoj se shumë prej produkteve do të kenë mundësi që të importohen në Kosovë, pa dogana, njashtu edhe produktet e Kosovës do të eksportohen në Turqi pa doganë, kështu që edhe njëri mall edhe malli tjetër do të jenë me kushte më të volitshme dhe do të përfitojë edhe shteti, por edhe qytetari”, tha Kastrati.
Duke vënë në dukje se Turqia është një shtet ekonomikisht shumë i fortë, Kastrati tha se fushat në të cilat mund të investojë Turqia në Kosovë është fusha e energjisë së ripërtëritshme, ajo e përpunimit agro-bujqësor, fusha e bujqësisë si dhe përfitimi i metaleve prej xeheve sidomos në Trepçë, ku mund të investohet për plumb dhe zink.
Nga ana tjetër, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, duke theksuar nevojën e rritjes së importeve të produkteve turke në Kosovë dhe të eksportit të produkteve kosovare në Turqi, tha se marrëveshja për Tregti të Lirë duhet të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës.
“Fakti se ekziston një marrëveshje e Tregtisë së Lirë e cila është nënshkruar dhe ende nuk është ratifikuar i dëmton këto raporte dhe definitivisht një stadë e tillë duhet të na obligojë që për këtë bashkëpunim ekonomik më shumë të bëjmë se sa të flasim. Është mirë që të eliminohet kjo situatë mes Kosovës dhe Turqisë, që këto raporte të mira të karakterizohen me bashkëpunim ekonomik, sepse vetëm bashkëpunimi ekonomik mund t’i afrojë interesat dhe popujt e dy shteteve”, tha Gërxhaliu për AA.
Ai theksoi se Turqia është partner strategjik. Gërxhaliu thekson se ky shtet pretendon që për një kohë të shkurtër të bëhet ndër 10 shtetet më të zhvilluara në botë. Ai po ashtu shprehu besimin që Turqia do t’i arrijë pretendimet që në vitin 2023 të arrijë në 500 miliardë eksporte. “Besoj që në këtë objektiv edhe Kosova do të mund të ishte pjesë e arritjes së këtyre objektivave”, tha ai. Së fundmi, Gërxhaliu shtoi se Kosova ka shumëçka për të mësuar nga Turqia në aspektin tregtar dhe ekonomik.
Ndërkaq, Arben Fetahu, drejtori ekzekutiv i Odës Tregtare Kosovaro-Turke në një intervistë për AA u shpreh se marrëdhëniet tregtare mes Kosovës dhe Turqisë janë pasqyrim i marrëdhënieve të ngushta familjare, sociale dhe historike të këtyre dy vendeve. Ai tha se këto dy shtete kanë bashkëpunim të ngushtë si në nivelin publik ashtu edhe në nivelin privat.
Fetahu bëri të ditur se sipas statistikave zyrtare Zvicra është investitori më i madh, kurse Turqia investitori i dytë në Kosovë. Por, duke u bazuar në atë se investimet të cilat vijnë nga shtetet si Zvicra dhe Britania e Madhe janë në sektorin e patundshmërive, kurse ato nga Republika e Turqisë të drejtpërdrejta në zhvillimin ekonomik dhe të bizneseve, sipas Fetahut “Padyshim që Turqia është investitori numër një në Kosovë”.
Kurse si problem më të madh në zhvillimin e mëtejmë të marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës dhe Turqisë, edhe Fetahu e sheh se është mosratifikimi i Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë, i cili sipas tij, pritet të ratifikohet në fillim të vitit 2017. Ai më tej tha se dy efektet kryesore të ratifikimit të kësaj marrëveshjeje janë zëvendësimi i importeve dhe sjellja e kapaciteteve prodhuese nga Republika e Turqisë, për të ngritur punësinë dhe nivelin e eksporteve në Kosovë.
“Me këtë ne do ta ngrisim edhe më tej ndërveprimin ekonomik në mes dy vendeve tona dhe ajo që vlen të theksohet është se efekti pozitiv i saj do të jetë që disa prej produkteve turke të cilat janë edhe më cilësore edhe më të përafërta me tregun dhe shijet tona do të mund t’i zëvendësojnë produktet të cilat vijnë nga importuesi më i madh i Republikës së Kosovës, që është Serbia”, tha Fetahu.
Pas nënshkrimit të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim me BE-në, sipas Fetahut, hallka e dytë e cila i mungon zinxhirit të ekonomisë së Kosovës për të pasur zhvillim të mëtejmë është ratifikimi i marrëveshjes së Tregtisë së Lirë.