Falënderimet dhe lavdërimet i takojnë vetëm Allahut xhele shanuhu, salavatet qofshin mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin salallahu alejhi ue selem, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë muslimanët që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
S’ka dyshim se mosfalja e namazit ka pasoja të mëdha dhe të rrezikshme në dynja dhe në ahiret. Ne do të cekim disa prej tyre dhe lusim Allahun që njerëzit ta kuptojnë rëndësinë e namazit dhe ta kenë parasysh se ç’do t’i godasë ata që nuk e falin namazin.
1. Lënia e namazit është shkak për ndëshkimin në varr
Allahu xh.sh. thotë: “E kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, do të ketë jetë të vështirë.” (Ta Ha, 124)
Komentuesit e Kuranit kanë thënë se fjala “do të ketë jetë të vështirë” ka për qëllim ndëshkimin në varr dhe dihet fare mirë se ndëshkimi në varr është një jetë shumë e vështirë.
Ai që e lë namazin ka bërë një vepër shumë të keqe, e cila do ta shoqërojë edhe në varr.
Pejgamberi alejhi selam, kur tregonte për personat e këqij që vdesin, thoshte: “Pastaj i vjen ati (në varr) një njeri me fytyrë të shëmtuar, me rroba të këqija, me erë të keqe dhe i thotë: “Përgëzohu me veprat e tua të këqija, kjo është dita e cila të është premtuar.” Ai i thotë: “Kush je ti? Fytyra jote nuk sjell vetëm se diçka të keqe.” Ai i përgjigjet: “Unë jam vepra jote e keqe.” Dhe kështu ai do të qëndrojë në dënimin më të dhimbshëm deri në Ditën e Gjykimit.
O vëllezër dhe motra muslimane, mos t’i bëjmë dëm vetes. Mos të jetë shkak lënia e namazit që ne të ndëshkohemi në varr e pastaj edhe në xhehhenem, por t’ia fillojmë dhe ta falim namazin, sepse përndryshe do të na presë një ndëshkim i ashpër.
2. Lënësi i namazit është prej banorëve të Sakarit (vend në xhehenem)
Ç’është “Sakar”? Këtë e ka sqaruar Allahu xh.sh., i Cili thotë: “E, ku e di ti se çka është Sekar? Ai nuk lë send të mbetet pa e djegur. Ai është që ua prish dhe ua nxin lëkurat. Mbikëqyrës mbi të janë nëntëmbëdhjetë.” (El Mudethir, 27-30)
Sakar pra është vend në xhehenem, i cili nuk lë asgjë pa djegur, saqë edhe lëkurat e njerëzve i prish dhe i nxin. Kush e meriton këtë dënim kaq të dhimbshëm? Këtë e ka sqaruar Allahu xh.sh. me fjalët: “Secili njeri është peng i veprës së vet. Përveç atyre të djathtëve. Që janë në xhennete e i bëjnë pyetje njëri-tjetrit, Përkitazi me kriminelët (e u thonë): “Çka ju solli ju në Sekar?” Ata thonë: “Nuk kemi qenë prej atyre që faleshin (që bënin namaz)…” (El Mudethir, 38-43)
A e shihni se kush e meriton këtë vend në xhehennem? Këtë përgjigje e japin vetë ata që gjenden në të, kur thonë: “Nuk kemi qenë prej atyre që faleshin (që bënin namaz)…”
A mos ke dëshirë që edhe ti të jesh prej banorëve të këtij vendi? A mos ke dëshirë që lëkura jote të digjet dhe të nxihet në këtë vend?
Nëse dëshiron t’i shpëtosh këtij dënimi, fillo dhe falu; fali pesë kohët e namazit nëse dëshiron të jesh prej të shpëtuarve.
3. Lënia e namazit është kufër (mosbesim)
Allahu xh.sh. ka thënë: “Po, nëse ata pendohen (nga mosbesimi), e falin namazin dhe e japin zekatin, atëherë i keni vëllezër në fe.”(Et-Teube, 11)
Pra, nëse ata (jobesimtarët) pendohen dhe e falim namazin, atëherë do të jenë vëllezërit tanë muslimanë. Nëse nuk pendohen nga mosbesimi i tyre apo pendohen nga mosbesimi i tyre, mirëpo nuk e falin namazin, atëherë nuk janë vëllezërit tanë në Islam.
Gjithashtu Allahu i Lartmadhëruar për politeistët thotë: “…Në qoftë se pendohen, e falin namazin dhe e japin zekatin, atëherë ua lëshoni rrugën, se vërtet Allahu fal, është Mëshirues.” (Et-Teube, 5)
Gjithashtu përshkruhet edhe dialogu mes besimtarëve dhe jobesimtarëve në Ditën e Gjykimit: “(Besimtarët do të pyesin:) Ç’ju solli në Sekar (Sekar – emri i xhehenemit më të ashpër)?” (Mosbesimtarët) Do të thonë: “Ne nuk e kryenim namazin, nuk i ushqenim të varfrit dhe përziheshim me të tjerët në punë të kota, ndërsa Ditën e Gjykimit nuk e besonim, derisa nuk na erdhi vdekja!” (Muddeththir, 42-47)
Pra, gjëja e parë që do t’i shtijë në zjarr do të jetë moskryerja e faljes së namazit. Pejgamberi alejhi selam thotë: “Jam urdhëruar t’i luftoj njerëzit derisa të dëshmojnë se nuk ka zot tjetër që e meriton adhurimin përveç Allahut (të thonë La ilahe il-lAllah) dhe ta falin namazin dhe ta japin zekatin. E në qoftë se e bëjnë këtë, prej meje do ta kenë të mbrojtur gjakun e tyre dhe pasurinë e tyre.” Buhariu dhe Muslimi.
Transmetohet nga Xhabir ibn Abdullahu, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi alejhi selam ka thënë: “Mes njeriut dhe mosbesimit është lënia e namazit.” Muslimi.
Gjithashtu Pejgamberi alejhi selam ka thënë: “Mes njeriut dhe mosbesimit është lënia e namazit.” Muslimi. Po ashtu ka thënë: “Ajo me çka dallohemi ne muslimanët nga ata (jobesimtarët) është namazi. Pra, kush e lë namazin është jobesimtar.”
Pra, këto hadithe janë të qarta se lënia e namazit është kufër. Kush e lë namazin nuk është musliman dhe nuk e meriton të quhet musliman. Nuk ka mundësi që njeriu i cili nuk e fal namazin të hyjë në xhenet. Si ka mundësi të hyjë në xhenet kur nuk i ka përfillur urdhrat e Allahut? Allahu xh.sh. më se 90 herë në Kuran i urdhëron muslimanët ta falin namazin dhe prapëseprapë disa njerëz nuk e falin namazin dhe në fund kërkojnë prej Allahut që t’i fusë në xhenet!
Allahu xh.sh. thotë: “…Atij që kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij i takon zjarri i xhehenemit, aty mbetet përgjithmonë.” (El-Xhinn, 23)
Dhe thotë: “….e kush i kryen urdhrat e Allahut dhe të të Dërguarit të Tij, ai ka arritur një sukses të madh.” (El Ahzab, 71)
“Kush respekton Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe ia ka frikën Allahut dhe i përmbahet udhëzimit të Tij, të tillët janë ata që do të triumfojnë.” (En-Nur, 52)
O njeri, a dëshiron të jesh prej të shpëtuarve, a dëshiron të jesh prej banorëve të xhenetit, për të cilët Allahu xh.sh. thotë: “Vërtet, ata që i patën frikë Zotit, janë në vende të qeta. Janë në xhenete e në burime që rrjedhin. Veshin petka nga mëndafshi e kadifeja, ulur ballë për ballë.Ja kështu, edhe i martojmë me bardhoshe symëdha (me hyri). Aty kërkojnë t’u sillen çdo lloj peme dhe aty janë të sigurt.
Aty nuk do ta përjetojnë vdekjen, përveç asaj të parës në dynja. Ata i shpëtoi (Allahu) prej vuajtjeve të xhehenemit. (Ato të mira) Janë dhuratë nga Zoti yt, e ai është shpëtim i madh.” (Ed-Duhan, 51-57)
Apo dëshiron të jesh prej banorëve të zjarrit të xhehenemit për të cilin Allahu xh.sh thotë: “Vlon si katrani (si pezhgveja) në barqet. Ashtu si vlon uji i valë. (U thuhet engjëjve për mëkatarin) Rrëmbejeni e graheni në mes të xhehennemit. Dhe hidhni mbi kokën e tij ujin e valë e shtojani mundimin. (I thuhet): Shijoje! Se ti je ai i forti, i autoritetshmi. E ky është ai (dënimi) për të cilin dyshonit.” (Ed-Duhan, 45-50)
Pra, o njeri, mos e humb xhenetin e Allahut xh.sh. dhe mos u bëj prej banorëve të xhehenemit për shkak të lënies së namazit. Fillo fale namazin, se vallahi sikur ta linte Allahu xh.sh. dike të mos vdiste, do të ishte Pejgamberi ynë, Muhamedi alejhi selam, mirëpo vdekja do të kaplojë çdonjërin prej nesh. Allahu xh.sh. thote: “Secili njeri do ta shijojë vdekjen, e pastaj do të ktheheni te Ne.” (El Ankebut, 57)
Fillo dhe fale namazin para se të të vijë vdekja.
4. Si është çështja e atyre që i ndalojnë njerëzit nga namazi, si për shembull drejtorët e institucioneve të ndryshme, pronarët e firmave apo dyqaneve, gjithashtu edhe drejtorët e shkollave apo kujdestarët e klasave, të cilët i ndalojnë njerëzit ta falin namazin?
Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Paqja dhe bekimi qofshin mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin salallahu alejhi ue selem, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Ata të cilët i ndalojnë njerëzit nga namazi nuk llogariten muslimanë, edhe pse pretendojnë se janë muslimanë. Ata njerëz u ngjasojnë komunistave, të cilët në kohën e tyre i ndalonin muslimanët nga agjërimi dhe ua prishnin agjërimin duke i detyruar muslimanët të pijnë ujë nëpër shkolla apo nëpër institucione.
E, në qoftë se nuk e prishnin agjërimin, i përjashtonin nga puna apo shkolla. Ata të cilët i ndalojnë njerëzit nga falja e namazit janë komunistë me një metodë tjetër; ata i ndalonin nga agjërimi, kurse këta i ndalojnë nga namazi.
Si ka mundësi që një njeri ta konsiderojë veten musliman dhe ndërkohë i ndalon puntorët e tij apo nxënësit e tij nga namazi apo i përjashton ata prej pune apo prej shkolle nëse i sheh duke falur namazin?
I këshilloj të gjithë udhëheqësit e institucioneve, drejtorët e firmave të ndryshme, drejtorët e shkollave, kujdestarët e klasave, pronarët e dyqaneve dhe të tjerët që mos t’i ndalojnë njerëzit nga namazi, mos të bëhen kriminelë duke i kundërshtuar urdhrat e Allahut xh.sh. A thua o njeri kush ta mundësoi ty që të kesh këtë pozitë, a nuk është vështirë për Allahun xh.sh. që nesër të të shkarkojë nga ajo pozitë?! Kujtoje ditën kur do të dalësh para Allahut xh.sh. dhe do të pyetesh se pse nuk i ke lejuar njerëzit që ta falin namazin?
Allahu xh.sh. thotë: “…Atij që kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij i takon zjarri i xhehenemit, aty mbetet përgjithmonë.” (El-Xhinn, 23)
Dhe thotë: “….e kush i kryen urdhrat e Allahut dhe të Dërguarit të Tij, ai ka arritur një sukses të madh.” (El Ahzab, 71)
Si dhe: “Kush respekton Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe ia ka frikën Allahut dhe i përmbahet udhëzimit të Tij, të tillët janë ata që do të triumfojnë.” (En-Nur, 52)
Pra, mos u bëj prej atyre që i kundërshtojnë urdhrat e Allahut dhe të jetë përfundimi yt në zjarr të xhehennemit.
O lënës i namazit!
Deri kur nuk do t’i përgjigjesh thirjes së Allahut xh.sh. për të falur namazin? Sa e sa të mira t’i dhuron Allahu xh.sh. çdo moment, kurse ti i kthen ato të mira me mëkate?
Po e përfundoj këtë temë me një hadith që e tranmseton Bera ibn Azibi, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili ka thënë: “Një ditë duke qëndruar me Pejgamberin alejhi selam, Pejgamberi alejhi selam pa një grumbull njerëzish dhe pyeti: “Përse janë tubuar ata njerëz?”
Të pranishmit i thanë: “Janë duke hapur një varr.” Pejgamberi alejhi selam u trishtua dhe shpejtoi drejt varrit. Bera ibn Azibi thotë: “Shkova afër Pejgamberit alejhi selam që të shikoja se çfarë po bënte. Kur e pashë, ai ishte duke qarë saqë dheu ku ishte ai, ishte lagur nga lotët e tij. Pastaj u kthye drejt nesh dhe tha: “O vëllezërit e mi, për këtë ditë përgatituni.” Hadithi është hasen.
Pra, o robër të Allahut, për ditën kur do të dalim para Allahut xh.sh. të përgatitemi.
Eroll Nesimi/Mesazhi/