“Mosdënimi i normalizimit me Izraelin nga Liga Arabe, në interes të armikut sionist”

Kryetari i Byrosë Politike të Hamasit, Ismail Haniyeh ka deklaruar se refuzimi i draftit në mbledhjen e Ligës Arabe që dënon normalizmin e marrëdhënieve me Izraelin “është në interes të armikut sionist”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë me shkrim nga Lëvizja Hamas thuhet se Haniyeh në kryeqytetin e Libanit, Bejrut, është takuar me delegacione nga Unioni i Dijetarëve Muslimanë dhe Federata Botërore e Dijetarëve të Rezistencës.

Haniyeh tha se refuzimi i draftit që dënon normalizmin me Izraelin nga Liga Arabe “është në interes të armikut sionist” dhe se normalizimi është një sulm i hapur i kryer ndaj umetit.

“Palestina dhe Kudsi janë çështje kryesore të umetit islam”, tha Haniyeh, duke shtuar se dijetarët islamë kanë luajtur një rol të rëndësishëm në mbështetjen e çështjes palestineze.

Sipas të dhënave të marra nga burimet diplomatike palestineze, përpara takimit të Ligës Arabe që u mbajt një ditë më parë në nivel të ministrave të Jashtëm, Palestina kishte përgatitur një draft që dënonte marrëveshjen mes Izraelit dhe Emirate të Bashkuara Arabe (EBA) por që ky draft u refuzua nga disa vende.

Ministri i Punëve të Jashtme të Palestinës, Riyad al-Maliki në takimin që u mbajt nëpërmjet telekonferencës tha se “Ne refuzojmë marrëveshjen mes Izraelit dhe EBA-së dhe duam që edhe ju të mos e pranoni”.