Organizata izraelite për të drejtat e njeriut B’Tselem u bën thirrje ushtarëve izraelitë që ndodhen në kufirin e Gazës nën rrethim që të mos e zbatojnë urdhrin për shtënie me plumba të vërtetë ndaj protestuesve palestinezë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim të publikuar në faqen zyrtare të internetit të kësaj organizate, tregohet në mënyrë gjithëpërfshirëse përse ushtarët izraelitë nuk duhet të gjuajnë me armë zjarri ndaj protestuesve palestinezë.
“Përdorimi i plumbave të vërtetë kundër njerëzve të paarmatosur dhe të cilët nuk paraqesin kërcënim është në kundërshtim me ligjet”, thuhet në deklaratë duke shtuar se nuk mund të jepet urdhri për të hapur zjarr me plumba të vërtetë kundër personave të cilët i afrohen apo përpiqen të kalojnë rrjetin e telit.
Në deklaratën e B’Tselem-it kritikohet vrasja e 20 palestinezëve dhe plagosja e më shumë se 1.500 të tjerëve që nga dita e premte e javës së kaluar në kufirin e Gazës si pasojë e gjuajtjes me plumba të vërtetë nga ushtarët izraelitë.
Në deklaratë thuhet se edhe pse ushtria e Izraelit ishte e përgatitur kundër protestave në kufirin e Gazës, në vend se të merrte masa për zvogëlimin e humbjeve civile, zyrtarët izraelitë kanë dhënë urdhër për gjuajtjen me plumba të vërteta ndaj protestuesve qindra metra larg gardhit me tela në kufirin e Gazës.
– “Zbatimi i urdhrave joligjore është vepër penale”
Duke iu kërkuar ushtarëve izraelitë që t’i kundërshtojnë urdhrat për përdorimin e plumbave të vërtetë kundër civilëve palestinezë, në deklaratë rikujtohet se “Zbatimi i urdhrave joligjore është vepër penale”.
Mijëra palestinezë në kufirin e Gazës që nga e premtja mbajnë protestë paqësore dhe shënojnë 42 vjetorin e Ditës së Tokës, në përkujtim të 30 marsit të vitit 1976, kur Izraeli mori prej tyre mijëra hektarë tokë.
Në sulmet e ushtarëve izraelitë, nga e premtja u vranë 20 palestinezë ndërsa më shumë se 1.500 u plagosën.
Dita e Tokës festohet në Palestinë që nga viti 1976 dhe kjo në një mënyrë është simbol i rezistencës së palestinezëve për t’u kthyer përsëri në vendin e tyre.
Gjithashtu potencojnë përgjegjësinë e komunitetit ndërkombëtar për të mbrojtur të drejtat e popullit palestinez, krijimin e një shteti të pavarur palestinez dhe kthimin e refugjatëve palestinezë në atdhe.