Një burrë i mençur dhe i urtë, mbërriti në një fshat, banorët e të cilit as që i kushtuan vëmendje. Vetëm një grup të rinjsh e dëgjonin dhe mësonin nga dijet dhe urtësia e tij.
Burri i mençur dhe i urtë, hoqi dorë nga të tjerët dhe iu përkushtua këtij grupi.
Edhe pse s’kishte ndonjë komunikim me të tjerët dhe nuk u kishte bërë gjë, këta të fundit nuk e linin rehat, e ofendonin, talleshin dhe qeshnin me të.
Një ditë, ai po ecte rrugës së fshatit, i ndjekur nga të rinjtë që e donin dhe e respektonin fort. Në një moment, disa burra e gra të fshatit, filluan ta shajnë, ofendojnë dhe të tallen me të.
Sakaq, ai nuk u përgjigjej fare, madje, shkoi pranë tyre dhe u foli fjalë të mira që tregonin respekt dhe maturi.
Pasi u larguan, një nga të rinjtë e pyeti:”Mësues! Çfarë nuk thanë për ty, të shanë, e u tallën. Sakaq, ti jo vetëm që nuk ua ktheve me të njëjtën monedhë, por shkove dhe u the fjalë të mira!!!”
Burri i urtë dhe i mençur iu përgjigj:”Çdo njeri, flet dhe vepron atë që ka në zemër. Mos lejoni që një i lig t’ju bëjë si vetja. Ruaje personalitetin dhe karakterin tënd, sado të ligj qofshin ata që të rrethojnë.”-Përshtati, Elmaz Fida./Mesazhi/