Farat e kajsis paraqesin rrezik të helmimit me cianid
Shumica e farave të kajsive të tregtuara në Evropë importohen nga jashtë BE-së dhe tregtohen tek konsumatorët nëpërmjet internetit.
Shitësit i deklarojnë ato si një super ushqim për të luftuar kancerin. Dozat e këtyre magjistarëve këshillojnë marrjen nga 10 fara në ditë për popullatën e përgjithshme deri në 60 copë për pacientët e diagnostikuar me kancer.
Fara është pjesa që gjendet brenda bërthamës së kajsisë. Ajo përftohet duke thyer bërthamën e fortë të kajsisë dhe për rrjedhojë, nuk ka kontakt me vetë frutin.
Por shkencëtarët dhe studiuesit paralajmërojnë rrezik. Ngrënia e më shumë se 2-3 farave të vogla të kajsive, ose më pak se gjysma e një fare të madhe, në një kohë tejkalojnë nivelet e sigurta.
Nëse fëmijët konsumojnë edhe një farë të vogël kajsie rrezikojnë të jenë mbi nivelin e sigurt.
Një substancë natyrale që quhet amigdalin është e pranishme tek farat e kajsive dhe kthehet në cianid pas ngrënies.
Cianidi është një nënprodukt i cianurit, një prej helmeve më të rrezikshëm në botë.
Helmimi i cianidit shkakton dhimbje trupi, temperaturë, dhimbje koke, pagjumësi, etje, letargji, nervozizëm dhe ulje të tensionit të gjakut. Në disa raste ekstreme kjo substancë është vdekjeprurëse.
Pavarësisht nga shqetësimet serioze të sigurisë, shumë ‘shërues’ të paspecializuar po e këshillojnë ngrënien e farave të kajsisë për trajtimin e kancerit. Ajo merret me gojë madje jepet edhe si një injeksion.
Një mori portalesh anonime publikojnë lajme të pavërteta mbi vlerën e farave të kajsisë pa treguar rrezikun vdekjeprurës që ato përmbajnë.
Bashkimi Evropian lajmëron rrezik
Kohët e fundit, Autoriteti Europian i Sigurisë Ushqimore (EFSA) – Ruajtësi i Sigurisë Ushqimore të Europës – paralajmëroi se farërat janë të rrezikshme, për të rriturit, por veçanërisht për fëmijët.
Në raportin e saj, EFSA vë në dukje një numër rastesh të fëmijëve të shtruar në spital për helmim me cianid të shkaktuar nga farat e kajsive.
Këtu përfshihen 260 raste të tilla në Turqi, ku farat janë një ushqim i zakonshëm. Një vajzë 28-muajshe vdiq për shkak të niveleve të larta të cianidit në gjak, pas ngrënies së 10 farave të tilla.
Kur farat treten, amigdalina degradohet në cianid. Njerëzit që besojnë në fuqinë e farave të kajsive mendojnë se ky helm shkatërron vetëm qelizat e kancerit, por shkencëtarët thonë se kjo nuk është e vërtetë.
Cianidi është helm për të gjitha qelizat, sepse ndërhyn me furnizimin e tyre me oksigjen – dhe është veçanërisht e dëmshme për trurin dhe zemrën, të cilat kërkojnë oksigjen të vazhdueshëm për të funksionuar. /AgroWeb/