Shumë preje mediave prestigjoze po flasin për mënyrën më të re të manipulimit me çmimet e ofertave. Se fundmi kërkimet në fushën e tregut nga mediat prestigjoze si CNN dhe Reuters flasin për mashtrimet me uljet e çmimeve.
Çdo ndërrim sezoni është kohë e mirë për shopping. Nga të gjitha anët na rrethojnë vitrina dyqanesh që lajmërojnë uljet e sezonit, nga më modestet tek ato që nuk iu beson syve mbi 70%-80% ulje. Ekspertët thonë se është mirë që të mos u besoni uljeve mbi 50%, veçanërisht nëse dyqani ku dëshironi të bëni blerje është në ditët e para të aplikimit të tyre. Në këtë rast, mund të bëhet fjalë për veshje të sezoneve të mëparshme ose çmimesh të “fryra” artificialisht. Shitësit e dyqaneve nuk mund shesin mall nën kosto.
A janë uljet sezonale një mundësi e vërtetë kursimi? Përgjigjja është po, nëse tregohet kujdes. Kontrolloni me kujdes etiketën, qepjet, rafiniturat, ndonjë defekt të mundshëm. Përcaktoni shifrën që synoni të shpenzoni dhe konsiderojeni një investim. Ku mund të gjeni më të mirën? Bëni në mendje një hartë të dyqaneve që ofrojnë një raport të mirë çmim/cilësi. Kur niseni për të bërë blerje, vishuni mirë, pasi është e provuar se mund të merrni shërbim më të mirë.
Disa këshilla për sezonin e uljeve sesi të merrni më të mirën
Sezoni: Malli që shitet dhe që është me ulje, duhet të jetë vërtet i këtij sezoni dhe jo artikuj të dalë nga fundi i magazinave. Qëndroni larg dyqaneve që përpara uljeve i kishin raftet gjysmë bosh dhe që më pas si me magji u mbushën. Është e pamundur që në fund të sezonit, dyqani të jetë i pajisur me çdo tip produkti, ngjyre dhe mase.
Qarkulloni: Dilni shpesh vetëm për të parë nëse keni vendosur se do të bëni blerje. Për gjërat që ju interesojnë mund t’u bëni ndonjë foto dhe të ruani në memorie edhe çmimin. Asnjëherë mos shkoni te dyqani i parë që ju del përpara. Fjala kyçe: qarkulloni.
Blerja: Këshilla për blerjet. Përpiquni që të krijoni një ide të qartë për shpenzimet që do të kryeni përpara se sa të hyni në dyqan. Në këtë mënyrë do të ndiheni më pak të ndikuar nga shitësi dhe do t’i hiqni vetes barrën e të blerit të gjërave, ndoshta edhe me çmim të mirë, por që nuk ishin të domosdoshme dhe që nuk do t’i përdorni kurrë. Vlerësoni produktin, duke u bazuar tek përmbajta e informacionit që shkruhet në etiketë.
Mbi 50%: Mos u besoni uljeve më të larta se 50%, shpesh pas tyre fshihet mall i mbetur stok nga sezonet e kaluara ose çmimet janë false. Shitësit e dyqaneve nuk mund te shesin mall nën kosto.
Ekspozimi: Nuk duhet të bëni blerje në dyqanet që nuk tregojnë sa ka qenë çmimi i vjetër i mallit që është në shitje, çmimi i ri dhe vlerën e përqindjes që ulet. Çmimi duhet të jetë i vendosur në vend të dukshëm dhe lehtësisht i lexueshëm. Nëse është e mundur, kontrolloni edhe në ndonjë vend tjetër për të parë nëse i njëjti mall tregtohet me një çmim më të lartë. Produktet që janë me ulje, duhet të jenë të ndara në mënyrë të dallueshme nga ai që është i ri. Mos iu besoni vitrinave që janë të mbuluara me reklama dhe nuk lejojnë që të shikoni mallin.
Prova: Nuk është e detyrueshme, por gjithmonë varet nga ata që drejtojnë dyqanin. Këshilla është se nuk duhet t’u besoni atyre veshjeve që vetëm mund të shikohen.
Pagesa: Të gjitha dyqanet që në vitrina ekspozojnë si mënyrë pagese kartat e kreditit ose të bankomatit janë të detyruara që t’i lejojnë edhe për mallrat që janë me ulje, pa detyrime shtesë.