Mos i Shpalos Planet Tua!

Vehbi Zeqiri Ekspert i Lidershipit, Zhvillimit Personal, dhe Inteligjencës Emocionale

Mos ua trego të tjerëve planet tua…, mahniti me rezultate.

Idetë dhe synimet që kemi në mendje, kemi dëshirë të flaktë t’i ndajmë me të tjerët dhe kënaqemi duke ua treguar me entuziazëm të madh. Duke bërë këtë, me pavetëdije jemi duke kërkuar njëfarë miratimi apo përkrahjeje prej tyre!?

Por, a e keni menduar ndonjëherë që kjo qasje mund të jetë pengesa kryesore, për përmbushjen e tyre?

Kam njohur njerëz që synonin të humbnin peshë (p.sh.), të cilët flisnin pa fund për dieta, për ushtrime fizike, dhe një mënyrë jetese të shëndetshme. Megjithatë, ata mbeteshin vetëm në fjalë, pa ndërmarrë asnjë hap konkret!?

Vërtetë është një dallim dhe hendek i madh mes ideve dhe realizimit të tyre. Sa më shumë flasim për to, aq më shumë harxhojmë energjinë dhe entuziazmin që na nevojiten për t’i zbatuar.

Forca e vërtetë qëndron në heshtjen!

Mbajtja e ideve dhe synimeve për veten, është burim i pashtershëm i energjisë për arritjen e tyre.

Provoje! Fillo me diçka të vogël…, një synim të përditshëm…, dhe shih sa larg mund të shkosh, pastaj vazhdo me ëndrrat, objektivat, dhe qëllimet jetësore.

Ndarja e planeve me të tjerët mund të krijojë një ndjenjë të rreme arritjeje dhe të harxhojë burimet mendore dhe emocionale të nevojshme për zbatimin e tyre. Neuroshkenca mbështet idenë se mbajtja e ideve dhe qëllimeve për vete ndihmon në ruajtjen e motivimit dhe përqendrimit, duke rritur mundësinë e realizimit të tyre.

Personalisht, i kam kaluar të dyja rrugët: atë të gabuar dhe atë të drejtë. E di nga përvoja që fjalët e kota nuk ndërtojnë asgjë. Vetëm rezultatet flasin fuqishëm dhe mbeten dëshmi e punës dhe përkushtimit tënd.

Ju mund t’i mahnitni të gjithë, vetëm me rezultatet apo frytet e punës dhe angazhimit tuaj, e asnjëherë me fjalët boshe.

Në prag të vitit 2025, në vend që të mendoni për mënyrat se si do të festoni, merrni një moment për të caktuar qëllimet tuaja dhe filloni menjëherë t’i realizoni.

Jam i bindur që tanimë e ke kuptuar drejtë këtë mesazh, dhe që shumë shpejtë do t’i mahnitësh të tjerët me suksesin tënd.

Mos harro, bota ka nevojë për ty!     

Vehbi Zeqiri

Ekspert i Lidershipit, Zhvillimit Personal, dhe Inteligjencës Emocionale