Kaptina el-Bekare 262-266
262. Ata që shpenzojnë pasurinë e vet në rrugë të Allahut, pa e
përcjellë atë me përgojim apo fyerje, do të kenë shpërblim te
Zoti i tyre dhe nuk do të kenë pse të frikësohen apo pikëllohen.
263. Fjala e mirë dhe falja e gabimit janë më të vlefshme se
lëmosha që përcillet me fyerje. Allahu është i Vetëmjaftueshëm
dhe i Butë (nuk nxiton në dënime).
264. O besimtarë! Mos i çoni dëm lëmoshat tuaja duke ua kujtuar
ato (atyre që ua keni dhënë) dhe duke fyer, siç vepron ai që e
shpenzon pasurinë e vet për sy e faqe të botës dhe nuk beson në
Allahun dhe Ditën e Fundit. Ai shëmbëllen me një gur të lëmuar
të mbuluar me dhé, mbi të cilin bie shiu me rrebesh, duke e lënë
të zhveshur. Ata nuk kanë kurrfarë dobie nga veprat që kanë
bërë, se Allahu nuk e udhëzon në rrugë të drejtë popullin mohues.
265. Ata që shpenzojnë pasurinë e vet, për të kërkuar kënaqësinë
e Allahut dhe që e forcojnë veten me punë të mira, shëmbëllejnë
me një kopsht të mbjellë në rrafshnaltë, në të cilin bie shi i
bollshëm, andaj jep fruta dyfish. Nëse nuk i bie shi i bollshëm, i
bie shi i imët që i mjafton. Allahu i sheh mirë punët që bëni ju.
266. A dëshiron ndonjëri nga ju që, duke qenë i moshuar e me
fëmijë të mitur e të pambrojtur, kopshti i tij plot palma hurmash,
vreshta e gjithfarë lloje frutash dhe i ujitur nga lumenj rrjedhës, të
digjet nga një stuhi zjarri?! Ja, kështu Allahu jua shpjegon shpalljet
e Tij, me qëllim që të mendoni.