“Mos i jep zemër dhunuesit”, protestohet para Prokurorisë për gratë e vrara

“Mos i jep zemër dhunuesit! “Sa herë po doni me na vra?”, ishin thirrjet e protestuesve para Prokurorisë Speciale në Prishtinë.

Rrjeti i Grupit të Grave me numër të kufizuar të protestuesve ka kërkuar drejtësi për gjitha gratë e vrara gjatë vitit.

Të njëjtat kanë kërkuar nga institucionet e drejtësisë që të marrin më seriozisht këto raste, meqë sipas tyre numri është enorm i vrasjeve.

Ndryshe, ditë më parë Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Themelore të Gjakovës për uljen e dënimit për Pjetër Ndrecajn, për vrasjen brutale të bashkëshortes dhe vajzës së tij, në gusht të vitit 2018”.

“Dënimi prej 24 vite e gjysmë burg, i shqiptuar pas rigjykimit ndaj Ndrecajt është në kundërshtim të plotë, përveç me rrethanat e kryerjes së veprës, po ashtu edhe me rregullat e përgjithshme me të cilat parashihet zbutja apo ashpërsimi i dënimit. Vepra penale ‘Vrasje e rëndë’ në rastin Ndrecaj bart në vete dy kualifikime ligjore; vrasjen e bashkëshortes së tij, Valbona Ndrecaj si dhe vrasjen e fëmijës (vajzës 9 vjeçare). Për këtë vepër penale parashihet dënim me burgim të përjetshëm, në rastin konkret rrethanat e kryerjes së kësaj vepre, siç janë; mënyra e kryerjes së vrasjeve dhe fakti që viktimat kanë qenë të pambrojtura është dashur të ndikojnë në ashpërsimin e dënimit duke ju shqiptuar dënim me burg të përjetshëm të pandehurit Ndrecaj”, thuhet në reagimin e RrGK-së.