Ballina Autorë Opinione Mos i futni hundët në punët e huaja!   

Mos i futni hundët në punët e huaja!   

Më mirë do të ishte t‘i fusnim hundët në maskën anti-covid apo në ndonjë libër se sa në punët dhe angazhimet e huaja!  

Ka shumë njerëz në shoqërinë tonë që i fusin hundët në gjërat që nuk i përkasin atyre, duke ndërhyrë në punët e të tjerëve, e si rrjedhojë e kësaj ata jetojnë në shpirtërat dhe problemet e njerëzve më shumë sesa jetojnë me problemet dhe vetveten e tyre.  Zemrat e sëmura janë të interesuara të vëzhgojnë sjelljen e njerëzve në çdo minut të jetës së tyre personale, detajet e punëve të tyre të përditshme dhe të hetojnë informacionin në çfarëdo mënyre, duke dashur të dinë sa më shumë sekrete të jetë së tyre, dhe duke futur padrejtësisht hundën e tyre në punët e të tjerëve, në vend që të kujdesen për ndjenjat dhe çështjet e atyre që mund t’iu ndihmojnë, qofshin të varfër apo të dobët. 

Kushdo që ndjek gabimet dhe të metat e njerëzve, Zoti do të ndjekë të metat e tij.

Kjo sëmundje e mban personin larg nga preokupimi me veten dhe gabimet e tij, kështu që ai e humb kohën e tij në gjurmimin e privatësisë së njerëzve, duke vëzhguar sjelljen e tyre me qëllim përgojimi, spiunimi dhe shpifjeje ndaj tyre.

Për fat të keq kjo sjellje e përditshme anormale, bëhen sikur të ishte normale, duke harruar se kjo sjellje  është e pamoralshme, urrejtëse dhe e papranueshme. Ajo në shumë raste prish miqësinë midis njerëzve dhe dëmton marrëdhëniet midis tyre.   

Këta njerëz ndërhyjnë në detajet më të vogla, shkelin lirinë e të tjerëve dhe kanë pasion për të ndjekur dhe ditur lajmet private të njerëzve që nuk u interesojnë atyre dhe nuk u sjellin kurfarë dobie: çfarë bënë dhe çfarë s‘bënë, çfarë hëngrën dhe pinë, çfarë fituan dhe çfarë humbën … një tiparë i dënueshëm dhe sjellje larg etikës dhe vlerave të mira. 

Unë nuk e kuptoj pse këta njerëz nuk kujdesen për të korrigjuar gabimet e tyre, kësisoj ata janë midis rolit të hipokrizisë dhe mashtrimit kinse po luajnë rolin e përmirësimit të kushteve të njerëzve dhe keqardhjes për gjendjen e tyre dhe midis mbushjes së zbrazëtisë së tyre, duke marrë këtë karakter të keq si një mënyrë për të argëtuar veten e tyre, pasi që shumica e tyre janë më të dështuarit në shoqëri. Apo ndoshta siç po ndodh shpesh, që informacionet dhe sekretet e njerëzve të ruhen për qëllime të shfrytëzimit dhe shantazhit të tyre për të arritur te përfitimet apo qëllimet e tyre të sëmura, të çmendura, të përjetësuar nga edukata shoqërore e çoroditur, mungesa e moralit dhe etikës, mirësjelljes dhe modestisë, vetëdijes dhe udhëzimit.  “Nga Islami i mirë i një njeriu është largimi nga ajo që nuk i intereson”!

Eleganca e një personi të respektuar qëndron në largimin e tij nga dëgjimi i lajmeve të njerëzve, mos ndërhyrja në çështjet e të tjerëve që nuk i përkasin atij, dhe të menduarit rreth problemeve dhe  edukimit të vetvetes …  

Një person pozitiv nuk shikon të tjerët, nuk e ka zili askënd, përkundrazi, ai shikon atë që ka në duart e tij.  Ai mbulon gabimet e të tjerëve, sepse ai nuk ka një dëshirë të tillë, siç nuk ka as kohë dhe as motiv për të humbur në atë që nuk e shqetëson atë, ai jeton vetë dhe i lë njerëzit Zotit të tyre.  Ai e kursen kohën, përpjekjen dhe jetën e tij të çmuar në një punë të dobishme të kësaj bote që nuk bie në kundërshtim me punën e ahiretit.  

Njerëzit do të jetojnë në paqe dhe siguri nëse mësojnë të flasin për atë që është e mirë për ta, e kundërta do të lodhen dhe sëmuren nëse kujdesen të flasin për njëri-tjetrin.  

Ekziston një dallim i madh midis një situate të neveritshme, të tmerrshme dhe të dhimbshme në të cilën dikush ulet pas dritares dhe vrojton lëvizjet e njerëzve dhe në anën tjetër dikush i ulur duke soditur peisazhet magjepsëse të natyrës me rrjedhën e jetës në të. Ne duhet të mësojmë se si të jemi të sigurt në veten tonë, në familjet tona dhe në marrëdhëniet tona me njerëzit, respektin e njerëzve për ne, dhe ruajtjen e dashurisë së vëllezërve dhe motrave tona për ne dhe dashurinë tonë për ta.  Kur më pyesni si jam, kjo është një mirësi e bukur nga ju, për të cilën u jam mirënjohës. Ndërsa, kur ju gjurmoni dhe futeni në gjëra që nuk do t’ju sjellin dobi, as juve as mua, ju këtu filloni të bëheni kurioz i tepërt, negativ dhe i bezdisshëm.

Përktheu Halil Avdulli

Exit mobile version